Ish Komandant Çela, tani në krye të resorit për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, Hazbi Lika nuk ka plan konkret për zgjidhjen e statusit të ish-ushtarëve të UÇK-së dhe familjarëve të dëshmorëve. Lika nuk garanton se një ligj i ngjashëm si ai për “branitellat” do të miratohet për pjesëtarët e UÇK-së.

Unë mendoj se duhet të ndërmerret diçka në këtë drejtim dhe se çfarë do të bëhet më tutje për momentin nuk jam në gjendje të them me përpikmëri, për shkak të mos-keqkuptimit nga ana e opinionit dhe sidomos nga ana e atyre që veçmë kanë qenë pjesëmarrës të drejtëpërdrejtë në këtë konflikt. Unë nuk mund ta them se a do të miratohet ligj. Sepse deri më tani marrëveshjet që janë bërë mes partive shqiptare po edhe koalicionit që përbën tani këtë qeveri, nuk kanë arritur të bëjnë diçka të tillë. Besoj se brenda kohës do të duhet të shihet kjo punë, nëse ka mundësi të paktën familjet e dëshmorëve dhe ato që u plagosën gjatë luftës të trajtohen nga shteti-  tha Hazbi Lika, Zv/kryeministër për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

I pyetur nëse do të inicojë ndryshim të Ligjit për përdorimin e flamujve të bashkësive që jetojnë në Maqedoni, sipas të cilit shqiptarët mund ta përdorin flamurin e tyre vetëm në komunat ku përbëjnë 50% të popullsisë, Lika përgjigjet:

 Unë nuk e di sa i ka dimensionet flamuri i shtetit. Mirëpo di që flamuri ynë kombëtar i ka dimensionet po aq sa i kanë edhe flamujt tjerë kombëtarë, siç e përdorin në Shqipëri dhe Kosovë. Tani ky flamur përdoret në ato vendbanime ku 50% e banorëve janë shqiptarë, por nuk do të thotë se kjo nuk mund të ndryshojë në të ardhmen- theksoi ai.

Dhjetëra mijëra shqiptarë nuk kanë shtetësi. Por Lika kërkoi kohë të mbledhë informacionet e sakta nga burime relevante, në mënyrë që në të ardhmen të ndërmerr masën e duhur.

Unë kam pasur një përvojë në Ministrinë e Brendshme dhe gjatë atyre procedurave kur filloi puna për paisje me nënshtetësi të njerëzve të cilët kishin mbetur gjatë kohës së Ish-Jugosllavisë në Maqedoni, mua më rezultoi një rezultat jo i kënaqshëm. Për arsye se aq sa po merrnin në atë kohë nëpërmjet atij ligji, aq kishte kërkesa edhe për fletë-shpërngulje. D.m.th. krahas një pune, një tendence të mirë që mund të keni ju dhe ne bashkë për të pajisur njerëzit me të drejtat e veta, mund të ndodh edhe e kundërta ku njerëzit për shkak të gjendjes së tyre ekonomike, ndoshta për pretendim për një jetë më të mirë jashtë d.m.th. lëshojnë vendin dhe kjo nuk është një rezultat, nuk është një indikacion i mirë. Kjo për ne duhet të jetë një alarm që në vendin tonë të krijojmë kushte që të gjithë të jetojnë në mënyrën se si e meritojnë ata- shtoi ai.

Në intervistë për Alsat, Lika garantoi avancim të përdorimit të gjuhës shqipe dhe përfaqësimin e drejtë të shqiptarëve nëpër institucione shtetërore.

Në këtë aspekt ne kemi bërë marrëveshje për koalicionim, për avancimin e gjuhës shqipe dhe ai avancim besoj që do të jetë në nivel të dukshëm më lartë se sa ky ligj që është, që gjuha shqipe të gjejë përdorim më të gjërë në këtë shtet poashtu edhe shqiptarët, ato që e flasin këtë gjuhë të arrijnë t’i kryejnë shërbimet e veta në gjuhën që u takon.“Ne kemi evidentuar një pjesë të atyre dikastereve ku mungon përfaqësimi i drejtë dhe kemi marrë masa që të punojmë për të hartuar projekte të cilat do të na e sigurojnë neve këtë përqindje. Ndërkohë që do të bazohemi edhe në analizën që është bërë nga ekspertë për këtë çështje për të realizuar planin që na çojnë drejt avancimit të shqiptarëve në administratë- përfundoi Hazbi Lika.

Përfaqësimi i shqiptarëve, që pas hartimit dhe nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit nuk është evident në postet drejtuese jo vetëm në administratën publike, por as në ushtri, burgje, institucione shtetërore e as në drejtoritë e ndryshme të shtetit./Alsat-M

Anesa Aliti