3 -4 ditë para mbarimit të mandatit, edhe kryetari i Likovës Sadulla Duraku ka shfrytëzuar mundësinë për të shpallur shpejtë e shpejtë tenderë, raporton SHENJA.

Më 11 dhe 12 maj, një pas një janë kontraktuar marrëveshje për servisim kompjuterësh dhe për blerjen e mjeteve për zyra.

Kompjuterat do tua servisojë kompania “Softmak” nga Shkupi  për 2500 euro, ndërsa vetëm për mjete zyre, Sadulla Duraku ka vendosur të harxhojë 3 252 euro. Fituesi i tenderit për material zyre është shoqata tregëtare “Miador”.

Por në Byronë për furnizime publike figuron se kjo kompani ka servisuar njëherë kompjuterët më 21 prill për 2500 euro.

Si duket Likova sivjet ka gjetur kompani e cila ua servison kompjuterët më lirë pasi në fillim të 2016,ata kanë paguar afro 6 mijë euro për këtë shërbim.

Komuna e Likovës ka 19 këshilltarë, kryetarin dhe një numër të vogël administratorësh që nuk figurojnë si numër në ueb faqen e komunës.

Në fund të prillit, Komuna e Likovës ka kontraktuar dy marrëveshje për një ditë. Njëra për pllaka bekatoni dhe tjetra për tamponin që duhet shtuar para se të vendosen pllakat. Është angazhuar kompania nga Hotla, “Ilirija Komerc” e cila do ta kryejë këtë shërbim për 97 560 euro.

Firmat konkurruese fillimisht kanë dorëzuar ofertat në letër dhe më pas tenderët janë finalizuar në procedurë të hapur elektronike. /SHENJA/