Rinia e Komunës së Likovës kërkon nga autoritetet ta vënë në funksion transportin publik që lidhin me qytetin e Kumanovës. Transporti privat përveç që u kushton shumë, i merr edhe kohë të konsiderueshme nga përditshmëria e tyre.

“Komuna e Likovës përveç që ndërlidhet me Kumanovën në sferën administrative, shëndetësore dhe arsimore është shumë e nevojshme që të lidhet me transport publik të organizuar. Ky transport do të ndihmonte në kryerjen e këtyre shërbimeve sa më të shpejtë, lehtë dhe të saktë. Kjo do të ndihmonte edhe në ruajtjen e cilësisë së ajrit dhe do të reduktonte përdorimin e automjeteve private ”.

“Jemi të detyruar të presim me orë të tëra. Përveç që na shkakton lodhje fizike, na e humb edhe kohën. Kur ke një orar të caktuar dhe duhet arritur në kohë, duhet organizuar me persona të tjerë dhe shumë orë me herët në do të arrish në kohë”.

Kryetari i Komunës së Likovës, Erkan Arifi thotë se projektet si fillim janë përqendruar në përmirësimin e infrastrukturës komunale. Arifi kërkon përkrahjen e pushtetit qendror për t’i kthyer në funksion linjat ndër-urbane.
“Ne bëjmë përpjekje maksimale që të gjejmë zgjidhje dhe një gjë e tillë duhet zgjidhur. Për momentin jemi fokusuar maksimalisht në infrastrukturën e Komunës së Likovës, rrugët regjionale dhe ujësjellësin si projekte jetike për banorët. Njëkohësisht bëjmë analiza të hollësishme dhe duke pasur parasysh edhe kompetencat që i kemi. Ministria e Transportit dhe Lidhjeve duhet të gjejë një zgjidhje të pranueshme për qytetarët”.

Nga Ministria për Transport dhe Lidhje thonë se ekziston projekt për të cilin është duke u punuar dhe pas përfundimit të tij do të konsultohet edhe me autoritetet lokale për ta vënë në funksion transportin publik. Për momentin në Komunën e Likovës funksionojnë pak linja private në fshatra të caktuar të cilët lidhin zonën e Likovës me qytetin e Kumanovës.