Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, konsideron se vendi e humbi mundësinë për ndryshime me daljen e LDK-së nga koalicioni opozitar asokohe.

Limaj ka bërë një vlerësim të gjendjes së përgjithshme në Kosovë, duke akuzuar PDK-në dhe LDK-në se kanë punuar pa asnjë prioritet për të mirën e qytetarëve.

Ai ka treguar edhe arsyen e humbjes së Drenasit, duke thënë se atje kanë ndodhur gjëra të papara. Ish-numri dy i PDK-së, Limaj, në një intervistë për lajmi.net ka folur edhe për prishjen me Vetëvendosjen, për punën e Shpend Ahmetit, dhe për rrugët e Kosovës.

“Kemi një koalicion pa një vizion, pa një politikë të qartë, pa objektiva. Një qeveri e mençur ndan prioritetet. Më thoni mua cili është prioritetet i kësaj qeveria që e njeh çdo qytetar i Kosovës? Këta nuk kanë asnjë prioritet. Pra, këta nuk kanë asnjë hap konkret dhe asnjë rezultat. Është bërë hapa prapa, shërbimet janë përkeqësuar. E vetmja luftë bëhet – pozicionimi i njerëzve në skemën e njëjtë. Probleme dhe skandale ka pasur vazhdimisht”, ka thënë Limaj.

Lideri i Nismës për Kosovën, Fatmir Limaj, ka folur edhe për ndërhyrjen e presidentit Hashim Thaçi në fushatën zgjedhore në Drenas. Sipas tij, nuk është lehtë të faktohen ato prova.

“Nuk ka asnjë dilemë se ai njeri ka bërë ndërhyrje në procesin zgjedhor në Drenas, qoftë takimet me arsimtar. Imagjino presidenti i Kosovës i thërret kryetarët e fshatrave të Drenasit i merr me veturë i çon në presidencë dhe ua qet një kafe dhe e bënë një fotografi me ta. Kjo ka ndodhe në fushatën në balotazh. Ne kemi shikuar për fakte dhe prova, nuk është lehtë të faktohen ato prova, sepse ajo që është fakt për mua, në gjykatë duhet të jetë provë dhe duhet të jetë shumë profesionale”, ka shtuar Limaj.

Mes të tjerash, Limaj ka folur edhe për përafrimet me AKR-në e Pacollit.

“Vizioni jonë është me i bashku forcat. Individ, intelektual, listat dhe të gjithë ata që janë të interesuar ta ndryshojnë vendin, mund të bashkohen. Kështu e shohim edhe AKR-në”, ka thënë Limaj për Lajmi.net.

Sa i përket vendimit të Arbitrazhit rreth kontratës së VALA-s me kompanisë Z-Mobile, ka thënë se në kushte normale, ministri do të duhej të jepte dorëheqje.

“Ne s’kemi çka flasim për Arbitrazh, duhet të flasim për këta njerëz që drejtojnë këto ndërmarrje publike dhe kanë përgjegjësi dhe pse e kanë lejuar mos zbatimin e kontratës dhe ka sjellë një ndërmarrje një situatë që t’i humbë 30 milionë euro. Në kushte normale një ministër, dhe bordi, dhe një drejtor jep dorëheqje kur ia humbë 30 milionë euro shtetit”, ka shtuar ndot tjera kreu i Nismës për Kosovëm, Fatmir Lilaj.