Pasi e shënoi golin hapës nga gjuajtja e lirë në udhëtim ndaj rivalit katalonas Espanyolit, Lionel Messi vendosi edhe një rekord të ri në La Liga.
Lionel Messi e ka shkruar një kapitull të ri në librat e historisë së La Ligës, pasi kapiteni i Barçës vendosi edhe një rekord të ri në fitoren 4-0 të Barcelonës ndaj Espanyolit në “RCDE Stadium” të shtunën, transmeton Gazeta Express.

Messi realizoi dy gola, të dyja nga gjuajtja e lirë, në këtë takim, dhe tani është golashënuesi më i mirë në La Liga me 11 gola, aq sa ka edhe Stuani.

Golat e tij nënkuptojnë se Messi është bërë lojtari i parë në histori të ligës elitare spanjolle që i shënon të paktën 10 gola brenda një sezoni në 13 edicione radhazi në La Liga.

Argjentinasi u rendit vetëm në vendin e pestë në garë për Topin e Artë në fillim të kësaj jave, duke mbetur prapa Kylian Mbappes, Antoine Griezmannit, Cristiano Ronaldos dhe fituesit Luka Modricit.