Programi Zoran Zaevit  “nuk ishte program i partnerëve të koalicionit bashkëqeverisjes” por ai megjithatë kishte edhe “pika të deklaratës” (platformës) që kanë të bëjnë me elemente për projekt- ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, thotë LR-PDSH në një intervistë për Zhurnal.mk.
 
Nëse do të ketë marrëveshje përfundimtare për bashkë-qeverisje me LSDM, kjo parti thotë se do të kërkojë edhe afatizimin e zbatimit të çështjeve të interesave të qytetarëve shqiptarë që burojnë nga deklarata e përbashkët (platforma e 7 Janarit).
 
LR-PDSH arsyetohet se paraqitja e programit nga ana e Zoran Zaevit (ë premtën e kaluar) ishte në kuadër të “zbutjes se tensioneve politike” midis LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së si dhe “për ta bindur” Kryetarin e vendit Gjorge Ivanov që t’ia jap mandatin atij.
 
Në intervistë me Zhurnal.mk, LR-PDSH i tërheq vërejtjen Zaevit se votat e kësaj partie nuk i ka të garantuara pa pasur “garanci të forta” për zbatimin e ligjeve në interes të të drejtave të shqiptarëve.
 
Madje LR-PDSH e porosit, kryeministrin në pritje, se kriza parlamentare nuk mund të përjashtohet nëse Zaev nuk do ta respektojë marrëveshjen eventuale duke mos zbatuar ligjet e ardhshme,  sidomos atë të premtuar për gjuhën shqipe.
 
LR-PDSH në të njëjtën kohë bënë ftesë për një “debat për ndryshime kushtetuese” për të cilat duhet dy të tretat e parlamentarëve, për të arritur në të ardhmen një konsensus të gjerë midis shqiptarëve dhe maqedonasve për të drejtat e shqiptarëve aty në kushtetutë, pra edhe gjuhën shqipe.
 
Intervista e plotë:
 
Zhurnal.mk:  A do të mbeteni në marrëveshje me LSDM për bashkë-qeverisje edhe pse Zoran Zaev të premten tha se nuk e pranon platformën shqiptare për program të qeverisë së tij?
 
LR-PDSH: E para, ai program ishte i LSDM-së për formimin e  Qeverisë, nuk ishte program i partnerëve te koalicionit bashkëqeverisjes. Në ato 15 pika kishte edhe pika të deklaratës së përbashkët, siç është ligji për përdorimin e gjuhës shqipe; funksionimi i mëtutjeshëm i prokurorisë speciale publike; nëpërmjet një departamenti special të gjykatës; zbardhja e proceseve të montuara: Kumanova, Monstra, Brodeci si dhe zhvillimi i barabartë rajonal, që nënkupton një ndarje reciproke të buxhetit. Në qoftë se arrihet marrëveshje për bashkëqeverisje, LR-PDSH do të kerkojë që të afatizohen këto çështje në implementim dhe të avancohen edhe më tej konform kërkesave të votuesve shqiptarë që janë të përfshira në deklaratën e përbashkët.
 
Zhurnal.mk : Pse doli Zaev vet me program të qeverisë, kur tashmë LSDM, BDI dhe LR-PDSH janë pajtuar për të hyrë së bashku në qeveri ?
 
LR-PDSH:  LR-PDSH nuk do të pranonte që të shpalos programin qeveritar nga Selia e LSDM-së. Ajo do bëhej në Kuvend para deputetëve pas përfundimit të negociatave për bashkëqeverisje me LSDM. Paraqitja e programit nga Zaev ishte në kuadër të zbutjes se tensioneve politike mes LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së si dhe për të bindur Ivanovin ta jap mandatin.
 
Zhurnal.mk: Pse ia keni premtuar Zaevit votat për qeveri, nëse ai bënë program qeveritar vet dhe pa BDI dhe LR-PDSH?
 
LR-PDSH:  Nuk do të thotë se pse i kemi deponuar nënshkrimet për mandatar se ne do ta votojmë ose do jemi pjese e qeverisë së re pa marrë garanci të forta për implementimin e ligjeve që janë në favor të votuesve shqiptarë.  Ne mund t’i ndihmojmë procesit dhe ta votojmë qeverinë, por mund të bëjmë edhe krizë parlamentare nëse devijohet nga marrëveshja eventuale dhe mos implementimi i ligjeve në praktike siç është ai i ligjit të gjuhës shqipe.
 
Zhurnal.mk: Pse i keni premtuar hyrje në qeveri kur ende nuk e paskeni programin e përbashkët qeveritar ?
 
LR-PDSH: Veprimi ynë politik mbështetet në kërkesat e shqiptarëve të cilat shpresojmë dhe janë përcaktuar për një qeveri reformiste  e cila do ndërtohej nga parimi i barazisë mes dy popujve më të mëdhenj duke i respektuar edhe etnitetet tjera, funksionimin e shtetit të së drejtës, dhe integrimin euro-atlantik. Në rast se LR-PDSH bëhet pjesë e qeverisë, nuk do bëhet për ta bërë Zoran Zaevin Kryeministër, por për ta avancuar çështjen shqiptare, dhe për t’i ndihmuar de-kriminalizimit të shtetit nga pushteti i deritanishëm.
 
Zhurnal.mk: A do të pranoni përfundimisht që të hyni në qeveri me LSDM, pasi që ai të premten e vuri kufirin (e tij) se ku mund të përdoret gjuha shqipe e ku jo (Zaev ishte kundër shqipes në bankë-monedha dhe uniforma) ?
 
LR-PDSH: Nuk e vendon dot Zoran Zaevi kufirin se ku mund të përdoret gjuha shqipe, mirëpo Kushtetuta aktuale e bën përkufizimin e saj dhe e përcakton nivelin e përdorimit të saj duke u bazuar në amendamentin V. 
LR PDSH vlerëson se duhet të hapet debati për ndryshimet Kushtetuese dhe që të ketë një konsensus të gjerë politik pasi që kjo çështje rregullohet me 2/3 (e votave në parlament). Ajo që në këtë fazë ka kontribuar LR- PDSH-ja është se kemi kontribuar me vërejtjet dhe propozimet tona në draft-ligjin për  përdorimin zyrtar të Gjuhës shqipe në gjysmën e territorit të saj, me saktë (aty) ku shqiptarët janë shumicë.
 
Zhurnal.mk: Pse nuk po e publikoni ju tash marrëveshjen (dokumentin projekt-ligj) me Zaevin për gjuhën shqipe, kur ai del me qëndrime tjera për gjuhën shqipe ?
 
LR-PDSH: LR-PDSH-ja tek çështja e gjuhës shqipe është udhëhequr nga një parim i rëndësishëm. Në asnjë moment nuk kemi lejuar që të ndahet gjuha shqipe nga shkrimi i saj. Kemi insistuar që edhe në Kuvend edhe Qeveri, edhe në komunikim midis shqiptarëve dhe institucioneve publike, e që përveç përdorimit të gjuhës shqipe i gjithë komunikimi i shkruar të jetë edhe në shqip. 
 
Zhurnal.mk: Çka do të bëni nëse ju do të përballeni edhe ditëve të ardhshme me qëndrime kundër platformës suaj dhe gjuhës shqipe nga ana e Zaevit ? A do të keni opsion alternativ ? Cilët janë këto opsione alternative rezervë që i keni në listë ?
 
LR-PDSH: Fillimisht do të mbështesim qeverinë në sjelljen e një ligji për përdorimin zyrtarë të gjuhës shqipe, i cili do të ishte në harmoni të plotë me kërkesat e shqiptarëve.  Më pas do të kishim përkrahur qeverinë e re për sjelljen e ligjit për mbrojtje të dëshmitarëve që do t’i ndihmonte PSP-së në funksionimin e saj, si dhe do të kishim dhënë kontributin politik dhe institucional për zgjidhjen e procese te montuara politike: Mostra, Brodeci, Kumanova… etj. Do të kishim qenë koshient dhe këmbëngulës edhe për realizimin sa më të shpejtë të pikës së  rëndësishme të programit të Zaevit e cila njëkohësisht është pikë kryesore e Deklaratës së përbashkët e cila i referohet ndarjes se buxhetit konform zhvillimit të barabartë rajonal. Në qoftë se këto pika të rëndësishme nuk do të ishin realizuar në afatet paraprake, LR-PDSH do të kërkonte përgjegjësi politike duke e vënë ne pikëpyetje edhe funksionimin e qeverisë së ardhshme nëse do të ishte pjesë e saj.
 
Zhurnal.mk: A jeni për një qeveri gjithëpërfshirëse e të përkohshme nëse Ivanovi vazhdon të mos ua jap mandatin për formim qeverie ?
 
LR-PDSH: Jemi për Qeveri Reformatore, politike, e cila do të merrte përgjegjësi, për një barazi politike dhe ekonomike, mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Jemi për një qeveri politike që përfundimisht do ta ringjallte shpresën euro-atlantike, si dhe perspektivën zhvillimore dhe ekonomike me ç’rast do të rritej standardi ekonomik i qytetarëve te RM. Jemi që përfundimisht të funksionojë shteti i së drejtës dhe sistemi i drejtësisë, me një gjyqësor jo-selektiv dhe të pavarur. Kjo do të ishte qeveria që do ta kishte përkrahjen tonë. 
 
Zhurnal.mk: A janë zgjedhjet e reja opsion i dytë? Ali Ahmeti pati thënë se po. A është forcuar tash ky opsion kur Zaev del kundër platformës suaj dhe bënë kufij të kuq për gjuhën shqipe ?
 
LR-PDSH: Zgjedhjet e reja parlamentare, nuk janë të pranueshme për ne aspak. Numrat e imponuan një situatë faktorizuese për palën shqiptare. Në kuadër të kësaj po përpiqemi për ta materializuar interesin shqiptar në gjetjen e mundësive për ta avansuar çështjen shqiptare. Zgjedhjet e reja parlamentare sa kemi njohuri janë opcion vetëm i VMRO-DPMNE për t’u munduar që ta defaktorizojë forcën politike shqiptare e cila ka peshë politike në këto momente.
 
Zhurnal.mk: Çka do të bëni nëse Zaev shndërrohet në  Gruevsk të dytë dhe hedh poshtë përfundimisht kërkesat shqiptare ? Zijadin Sela pat kërcënuar me ndarje të brendshme (institucionale), kur thoshte pas zgjedhjeve se shqiptarët do të mund të formojnë qeverinë dhe parlamentin e tyre (nëse kërkesat shqiptare do të refuzohen nga palët maqedonase) ?
 
LR-PDSH: Nuk mund të supozojmë se a mund të shndërrohet Zoran Zaev në një Gruevsk të dytë. Urojmë që Zaev të ketë mësuar nga gabimet e Gruevskit, i cili u shndërrua në një ultra-nacionalist dhe albanofob për ta fshehur krimin dhe korrupsionin. Pa barazi në mes maqedonasve dhe shqiptarëve, shteti i Maqedonisë asnjëherë nuk mund të ketë perspektive politike, ekonomike dhe integruese. 
 
Zhurnal.mk: Sa po shtohen gjasat që shqiptarët të bojkotojnë institucionet me maqedonasit e të formojnë pikërisht siç thoshte kreu i LR-PDSH, Zijadin  Sela, institucionet e tyre paralele që do të qonin në një federatë apo edhe konfederatë në Maqedoni ?
 
LR-PDSH: Bojkotimi i sistemit, dhe krijimi institucioneve paralele, apo ndryshe krijimi i një konfederate, është e vërtetë se ka qenë pjesë e vokabularit tonë politik si e mundësi e fundit nëse nuk merren parasysh kërkesat legjitime dhe të natyrshme te shqiptarëve.
Urojmë që Qeveria e re rrënjësisht të ndërrojë diskursin politik ndaj shqiptarëve si popull shtet-formues e t’i trajtojë të barabartë në çdo aspekt, në të kundërtën shqiptarët pa marrë parasysh cili subjekt politik do t’i përfaqësojë ata asnjëherë nuk ndalen me format dhe mundësitë për tu trajtuar të barabartë me maqedonasit në shtetin e përbashkët te Maqedonisë./Zhurnal.mk/