Testimin ekstern do ta shfuqizojmë në seancën e parë qeveritare. Kualitetin e mësimdhënies do ta sigurojmë nëpërmes shpërblimeve, dhe jo nëpërmes sanksioneve. Mësimdhënësit më të mirë do të shpërblehen dhe shkollat publikisht do të shpërblehen. Nga ky vit, nuk do të ketë më testim ekstern për nxënësit, arsimtarët dhe profesorët, thonë nga LSDM.

“Testimi ekstern është ndër veprat më të këqija në arsimin e Maqedonisë, që nuk na solli asnjë rezultat në procesin e arsimit, përvec se ka traumatizuar nxënësit. Dhe njëkohësisht i ka shërbyer pushtetit për presion ndaj arsimtarëve dhe profesorëve. Qeverisja e deritanishme eksperimentoi me arsimin dhe e shkatërroi me themel”, thuhet në reagimin e partisë.

Nga aty zotohen se do të sigurojnë arsim kualitativ. Sipas tyre shfuqizimi i testimit ekstern do të jetë vetëm një pjesë e reformave në krijimin e një sistemi stabil arsimor.