Partitë më të mëdha në vend shprehen të rezervuara sa i takon draft-versionit të BDI-së të ligjit për veting. Nga LSDM-ja thonë se akoma nuk e kanë shqyrtuar propozimin dhe nuk kanë konsoliduar qëndrimet por kujtojnë se ekziston Antikorrupsioni si institucion që e ka për detyre të kontrollojë funksionarët.

“Për momentin ekziston Komisioni shtetëror për pengimin e korrupsionit i cili i ka mekanizmat që në bazë të paraqitjeve ose informacioneve publike të hapë procedurë dhe të vërtetojë nëse ka tregues të caktuar për ndonjë funksionar dhe nëse ka dyshime se ka shkelur ligjin, ta shndërrojë në procedurë gjyqësore. Kështu që vlerësoj se Antikorrupsioni është filter i mirë për këto gjëra por gjithsesi ky është qëndrimi im personal dhe mbetet që me grupin parlamentar në Kuvend ta shikojmë propozim/ligjin dhe si grup parlamentar por edhe si parti politike, t’i harmonizojmë qëndrimet- deklaroi Kostadin Kostadinov, zëdhënës i LSDM-së.

Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se propozimi do të shikohet por se vetingu duhet të fillojë nga funksionarët e pushtetit.

“Pastimi i sektorit publik duhet të fillojë nga qeveria, siç thotë Zaev, peshku nuk mban ere nga bishti por nga koka. Nëse koka është ajo nga e cila dalin ryshfeti dhe korrupsioni atëherë nuk mund të fillojë nga eshalonet më të ulta nëse burimin e ka nga qeveria- tha Naum Stoillkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Për tetë deputetët e ndarë nga VMRO-DPMNE-ja, propozimi është i mirëpritur duke vlerësuar se duhet kontroll më i madh mbi personat që ushtrojnë funksione publike.

“Një gjë e tillë është është e nevojshme për vendin tonë prej shumë kohësh. Kontrollë duhet të ekzistojë veçanërisht për funksionarët publik dhe mënyrën se si ata e fitojnë pronën e tyre. Për këtë ne do ta shikojmë propozim/ligjin dhe do të dorëzojmë amendamente. Personalisht vlerësoj se një zgjidhje e këtill ligjore sa më rigoroze të jetë aq më mirë do të jetë për vendin tonë. Duhet të fillojmë të vendosim kritere se si duhet të jenë funsionerët publik në vendin tonë- pohoi Emilija Aleksandrova, grupi i deputetëve të pavarur.

Alsat siguroi pjesë të propozim/ligjit për veting që u është dorëzuar grupeve parlamentare. Ai parashikon formimin e Agjencisë së mvetësishme për kontrollin e bartësve dhe kandidatëve për bartës të funksioneve publike e cila do të mbledhë, analizojë dhe publikojë të dhënat për to. Vetingu parashikohet të përfshijë të gjitha funksionet duke filluar nga presidenti, kreu i Kuvendit dhe kryeministri dhe duke përfshirë madje edhe gjykatësit dhe prokurorët. Ajo parashikohet të udhëhiqet nga drejtori dhe zëvendësi i tij të cilët i zgjedh dhe shkarkon Kuvendi./ALSAT