Kryeministri Zoran Zaev sot deklaroi se LSDM-ja do të japë mbështetje për propozimin e partive më të vogla politike për zgjedhjen e deputetëve në një njësi zgjedhore, e cila, siç theksoi, është edhe premtim i tyre zgjedhor, sepse kjo, sipas tij, do të thotë avancim i demokracisë dhe dhënie e shansit për partitë më të vogla për barazi.

“Ne jemi për një njësi zgjedhore. Edhe njëherë e përmend se ky avancim i demokracisë dhe dhënia e një shansi për partitë më të vogla, veçanërisht, veçanërisht pasi që në vend, përveç partive më të vogla politike, kemi edhe parti politike me përkatësi etnike. Kështu që jep një shans më të mirë për përfaqësim më të madh në vetë Parlamentin”, tha Zaev.

Me këtë, theksoi ai, humbin LSDM-ja, VMRO-DPMNE-ja, ndërsa në një pjesë të vogël BDI-ja, si parti më të mëdha, ndoshta Aleanca për Shqiptarët, por fiton shtetin dhe demokracinë.

“Por, gjithashtu, japim mbështetje për miratimin konsensual të Kodit Zgjedhor, sepse nuk duam që të jemi të parët që të thyejmë rregullin dhe t’i imponojmë opozitës ose ndonjë partie duke votuar, dhe të votojmë për Kodin Zgjedhor. Ashtë një traditë në vendin tonë që gjithmonë bëhen përpjekje për pjesëmarrjen e barabartë të të gjithëve në procesin zgjedhor, Kodi Zgjedhor të miratohet me konsensus”, tha kryeministri Zaev, duke iu përgjigjur një pyetje gazetari pasi vizitoi një kopsht të rindërtuar në Karposh.

Ai shtoi se ka disa sinjale që VMRO-DPMNE opozitare do të diskutojë gjithashtu këtë çështje.

Zaev theksoi se do të dëshironte që zgjedhjet e ardhshme lokale në vjeshtë të zhvillohen me lista të hapura, sepse, siç tha ai, qytetarët përveç që do të votojnë për përcaktimin e tyre mbi ofertën politike, do të votojnë edhe për personalitet.

“Me këtë direkt krijohet një detyrim që këshilltarët t’u detyrohen qytetarëve, të jenë të përgjegjshëm para tyre dhe gjithashtu është një përmirësim i procesit të demokracisë. Por, këto janë vetëm pikëpamje të LSDM-së”, tha Zaev.