LSDM-ja mbështet protestat e prindërve në Prilep

LSDM-ja përmes një komunikate me shkrim ka treguar mbështetje për prindërit e nxënësve të gjimnazit të Prilepit, të cilët protestojnë kundër drejtorit të shkollës, i cili ju ka bërë thirrje nxënësve që të dalin në protesta kundër gjuhës shqipe dhe Deklaratës së përbashkët të partive shqiptare.

“I mbështesim prindërit të cilët dënojnë ashpër keqpërdorimin e fëmijëve të tyre për protesta. Theksojmë se shumë shpejtë do të ketë transferim të qeverisë dhe se ata që kanë marrë pjesë në presione ndaj fëmijëve dhe ata të cilët nuk e kanë ndaluar, do të ballafaqohen me përgjegjësi. Askush nuk ka të drejtë t’ju thotë nxënësve të bojkotojnë mësimin dhe të shkojnë në protesta nacionaliste në të cilat shpërndahet urrejte etnike”, thonë mes tjerash nga LSDM-ja.

Nga LSDM gjithashtu thonë se është ngritur padi penale kundër drejtorit të gjimnazit të Prilepit “Mirçe Acev”, Kiro Nikollosko, dhe kundër drejtorit të shkollës së mesme industriale në Prilep “Riste Risteski – Riçko”, Zharko Temellkoski”.