Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë sot përmes një kumtese apelon që të respektohet vullneti i qytetarëve dhe të mundësohet transferim i qetë i pushtetit përmes formimit të Komisionit për Zgjedhje dhe Emërime dhe vazhdim të seancës konstituive ku do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit.

“Vullneti i 700 mijë qytetarëve ose i 67 mandateve të deputetëve patjetër duhet të respektohet. E drejta demokratike e qytetarëve është që ta zgjedhin Qeverinë e tyre dhe në zgjedhjet kredibile të deklarohen për ndryshime, ashtu siç e parashikon Kushtetuta. Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, i cili është i mbështetur me 67 deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë tashmë e ka publikuar programin e Qeverisë së re reformuese, i cili e mbron karakterin unitar të shtetit, garanton sundim të së drejtës, siguron zgjidhje të nevojave dhe problematikave të të gjithë qytetarëve dhe i hapë perspektivat euro-atlantike të Republikës së Maqedonisë”, thuhet në kumtesë.