https://youtu.be/2z0avqTQ52k

LSDM-ja nuk do të heq dorë nga pozitat e veta në negociatat e Përzhinës, por megjithatë shpresoj se do të arrihet marrëveshje, por vetëm në rast se ndërgjegjësohen edhe pjesëmarrësit e tjerë në këto negociata, veçanërisht VMRO-DPMNE-ja. Kwshtu deklaroi në konferencë pwr shtyp, anëtari i Këshillit ekzekutiv të LSDM-së Lubço Nikollovski.

“Në pajtim me ligjet, me ministritë udhëheqin ministrat dhe me ministrinë e punëve të brendshme nuk mund të bëhet kurrfarë përjashtimi që të udhëheq ndonjë tjetër. Qëndrojmë fuqishëm në atë se ministri i brendshëm, për t’i mbajtur të gjitha përgjegjësitë, do të duhet t’i ketë të gjitha autorizimet dhe kompetencat që i takojnë me ligj. Nga ky pozicion, LSDM-ja nuk ka për të hequr dorë”, tha Lubço Nikollovski.

Sot, në lidhje me bisedimet e Përzhinës reaguan edhe nga Lëvizja Popullore për Maqedoninë. Gjorgji Todorov, anëtar i Këshillit ekzekutiv, deklaroi se zgjidhje për krizën paraqet formimi i qeverisë kalimtare, ku do të përfshiheshin të gjitha partitë politike që kanë marrë pjesë në zgjedhjet e fundit parlamentare. Në lidhje me Ligjin për polici, Todorov konsideron se ministri i brendshëm duhet të punojë pa pengesa dhe pa mos iu marrë kompetencat. Në të kundërtën, ai sheh qëllime me prapavijë:

“Kjo është diçka tendencioze. Se diçka po planifikohet. Se dikush frikësohet nga diçka. Kur dikush vjen në pushtet, duhet të mendojë se një ditë do të duhet të largohet. Gjithçka e ka fillimin dhe fundin e vet.”

Goce Dellçev nga Sindikata e pavarur policore konsideron se , në qoftë se me çdo ndryshim  të Ligjit për policinë, futen dëshirat e partive dhe qeverive, atëherë thotë ai, do të vihet në pikëpyetje edhe profesionalizmi.

“Unë jam i sigurt dhe i bindur se, sot, nesër apo pas 15 vitesh, varësisht nga ajo se cila parti politike do të jetë në pushtet në Maqedoni, është fakt se do të ketë ndikim të plotë partiak në vendosjen e strukturave në ministri”, tha ai. 

Ministri i brendshëm Mitko Çavkov mbrëmë deklaroi se ndryshimet në Ligjin për policinë janë thelbësore, që në plan afatgjatë do të kontribuojnë në stabilizimin e strukturës në MPB. Sipas propozimeve ligjore, struktura organizative do të përcaktohet nga qeveria, ndërsa sistematizimin do ta bëjë ministri i brendshëm në pajtim me qeverinë.

Edhe pse është ende e pasigurt, megjithatë pritet që nesër të ketë takim të ri ndërmjet VMRO-DPMNE-së, LSDM-së, BDI-së dhe PDSH-së, ku përsëri do të bisedohet rreth kompetencave të ministrit të brendshëm në qeverinë kalimtare. Në ndërkohë, euroambasadori Aivo Orav u largua në Bruksel  për konsultime shtesë, në lidhje me krizën politike në Maqedoni.