Partia maqedonase në pushtet LSDM ka reaguar ndaj OBRM-PDUKM-së duke thënë se treguesit realë ekonomik i hedhin poshtë akuzat e OBRM-PDUKM-së, nga e cila më herët thanë se LSDM-ja dhe Zoran Zaevi i kanë shkaktuar dëme të mëdha ekonomisë së Maqedonisë.

“235 milionë investimet e huaja rekorde vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, rritja e pagës mesatare në mbi 24.000 denarë, rritja e eksportit dhe rritja e prodhimtarisë industriale janë vetëm një pjesë e një varg treguesve ekonomik të cilët e dëshmojnë suksesin e politikave ekonomike të Qeverisë së kryesuar nga LSDM-ja”, thuhet në njoftimin e LSDM-së, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Nga kjo parti shtojnë se nuk ekziston vjedhje më e madhe nga ajo e OBRM-PDUKM-së, e cila sipas tyre, ka vjedhur për 11 vite.

“Pas disa viteve kthim prapa, ekonomia sot stabilizohet dhe niset në drejtimin e duhur, ndërsa qytetarët po i ndjenjë përfitimet nga puna e suksesshme e Qeverisë e kryesuar nga LSDM-ja, e cila vazhdon t’i zbatojë masat të cilat sigurojnë rritje ekonomike, vende të reja të punës dhe standard më të lartë jetësor për të gjithë qytetarët”, thuhet më tej në njoftimin e LSDM-së.