Testimi ekstern nuk do të realizohet në muajin qershor, ndonëse datat për realizimin e të njëjtit tashmë janë caktuar nga Qendra Shtetërore e Provimeve. LSDM-ja ka paralajmëruar shfuqizimin e testimit ekstern menjëherë që në momentin e parë të formimit të Qeverisë së Re. Petar Atanasov madje tha se ky ishte projekti më i dështuar i Qeverisë së kaluar që nuk solli asnjë dobi në përmirësimin e cilësisë në fushën e arsimit.
Qeveria e re, do të përpiqet të krijojë një qendër për të siguruar cilësi në arsim ku shteti në çdo moment do të garantojë cilësinë e arsimit edhe në arsimin fillor edhe në atë mesëm. Për këtë duhet më shumë kohë dhe më shumë ndryshime. Në pajtueshmëri dhe në konsultime me opinionin, një projekt i këtillë shpresojmë që për 12 muaj do të mund të realizohet. Por, tani fillimisht atë qe e premtuam para qytetarëve, shfuqizimin e testimit ekstern. Këtë qershor nuk do të mbahet testimi ekstern sepse Qeveria e re të njëjtën do ta shfuqizojë – tha Petar Atanasov, LSDM.
Ndërkohë nga Qendra Shtetërore e Provimeve njoftuan se tashmë janë bërë të ditura datat kur pritet të zhvillohet testimit ekstern. 5,6,8 dhe 9 qershor janë ditët të rezervuara për këtë testim për nxënësit prej klasës së 6 fillore deri në vitin e tretë shkollë të mesme. Nga ky dikaster gjithashtu bëjnë të ditur se janë përgatitur 450 mijë pyetje në të gjitha lëndët të cilat deri më 15 maj janë në dispozicion për tu shqyrtuar nga nxënësit. Kohë më parë Unioni i Nxënësve Shqiptarë paralajmëroi protesta në rast të mbajtjes së testimit ekstern me qëllim të shprehin pakënaqësitë e tyre ndaj këtij testimi./Alsat-M