Vazhdojnë përplasjet mes pushtetit dhe opozitës për propozim ligjin për regjistrimin e popullsisë. Pas paralajmërimeve të DPMNE se do të mbledhin nënshkrime për anulimin e Ligjit për regjistrimin e popullsisë, LSDM kërkon që opozita të mos bëjë thirrje për bojkot të regjistrimit të popullsisë, për shkak se, bëhet fjalë për operacion statistikor e jo për zgjedhje. Partia e Mickoski vazhdon me qëndrimin që se vazhdojnë me kërkesën që ligji të tërhiqet dhe të përgatitet një i ri për të cilin do të ketë një konsensus nga të gjithë. Parlamenti përfundoi debatin të premten, por Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi prolongoi votimin.

“Regjistrimi i popullsisë është operacion statistikor, nuk janë zgjedhje, në të nuk votohet dhe kjo është arsyeja pse Mickoski dhe VMRO-DPMNE nuk kanë nevojë të frikësohen nga mbajtja e regjistrimit. Bojkotimi dhe thirrja për bojkot të regjistrimit do të thotë gjithashtu thirrje për mosrespektim të ligjeve. Është absolutisht absurde dhe rasti i parë në Evropë dhe botë”, tha Bogdanka Kuzeska – zëdhënëse e LSDM-së.

“Lidhur me thirrjet e bëra nga LSDM, unë do të doja t’i ftoj edhe një herë nga kjo foltore që të vijnë në vete, të tërheqin me kohë ligjin që e kanë dërguar në Parlament dhe i cili është sjellë deri në votim dhe me konsensus të gjerë të diskutohet për ligj të ri, siç propozohet nga ne, intelektualët, komuniteti, shoqëria, qytetarët dhe të gjithë të tjerët, dhe jo ashtu siç kanë vendosur ta zbatojnë atë politikisht”, potencoi Dimçe Arsovski – zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.