Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë edhe sot do të vendosë karrige para Kuvendit në shenjë mbështetjeje për anëtarët e Komisionit për financim dhe buxhet për të votuar amendamentin me të cilin kërkohen mjete për ribalancimin e Buxhetit për një rritje lineare të pagës neto prej 2.806 denarë për punëtorët në sektorin publik.

Para Kuvendit do të vendosen 14 karrige, ndërsa protesta do të nisë në orën 13:30 dhe gjatë kësaj kohe do të ndërpritet qarkullimi.

“Gjëja më e rëndësishme për Kuvendin dhe Qeverinë është që të zgjidhet problemi i punëtorëve dhe të mos ketë punëtorë që nuk kanë mundësi të blejnë bukë dhe të paguajnë faturat e energjisë elektrike”, thonë nga LSM.

Nga aty theksojnë se “rritja e çmimeve bëhet lehtësisht dhe shkon në dëm të punëtorëve dhe qytetarëve ndërsa për rritjen e pagave qeverisë i duhet kohë dhe metodologji sërish në dëm të punëtorëve dhe qytetarëve. Kartonët e verdhë sot për deputetët që dikur votuan kundër punëtorëve, do të bëhen karton i kuq nga punëtorët për deputetët që janë kundër pagave të tyre”, u shprehën nga LSM.

Greva e përgjithshme në sektorin publik filloi më 22 qershor me kërkesa për rritje lineare të pagave prej 2.806 denarë në shumë neto për të gjithë punëtorët në përputhje me rritjen e pagës minimale, nënshkrimin e Kontratës së Përgjithshme Kolektive dhe pagesën e K-15.

Në ditën e parë të grevës para Kuvendit janë vendosur 120 karrige, ndërsa në ditën e dytë para Qeverisë janë vendosur 21 karrige.

Ditët e kaluara, karriget janë vendosur para ministrive të financave dhe të punës dhe politikës sociale.

Të hënën përfaqësuesit e sindikatave kanë bllokuar për tre orë hyrjen në Shkup pranë Autokomandës.

Greva pasoi pasi nuk u arrit një marrëveshje mes sindikatës dhe qeverisë.

Sindikata mbetet në qëndrimin e rritjes lineare të pagave, ndërsa Qeveria thotë se duhet gjetur një zgjidhje sistematike për rritjen e pagave dhe jo të pranohen zgjidhje të momentit.