Lajmi se përfaqësuesit e dy komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, Preshevës dhe Bujanovcit, kanë qenë te presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, për të biseduar lidhur me problemet për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Serbi, e hap çështjen se çfarë është komunikimi i pakicës shqiptare, qeverisjes së saj lokale dhe autoriteteve në Beograd.

Realizimi i të drejtave të pakicave është obligim i Serbisë që del nga Kapitulli 23, në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian.

 

Në takimin me presidentin Thaçi, ditë më parë, kanë qenë Jonuz Musliu, kryetar i Këshillit Nacional të Shqiptarëve, Shaip Kamberi, kryetar i komunës së Bujanovcit dhe Ardita Sinani, kryetare e Kuvendit të Komunës së Preshevës.

Jonuz Musliu thotë se në takimin me presidentin e Kosovës, Thaçi, kanë biseduar për gjendjen e rëndë lidhur me realizimin e të drejtave të shqiptarëve në komunat ku ata janë shumicë në jug të Serbisë, që njihet si Lugina e Preshevës.

Siç thotë ai, në takim është biseduar për mundësitë që çështja e shqiptarëve të komunave jugore të Serbisë të trajtohet njëjtë sikur e serbëve që jetojnë në Kosovë, e që, sipas tij, gëzojnë të drejtat maksimale si pakica.

“Mendojmë se faktori ndërkombëtar nuk duhet të luajë me dy standarde, ndryshe për serbët në Kosovë, ndryshe për shqiptarët në Luginë të Preshevës. Çdo herë mendonim se do të zgjidhen problemet e shqiptarëve, si lëvizja e lirë, e drejta e simbolit, e drejta e gjuhës, e drejta e përdorimit të teksteve nga Republika e Kosovës. Por, megjithatë, Kapitulli 23 nuk e lë Serbinë të lëviz në drejtim të Evropës pa i zgjidhur këto probleme”, thotë Musliu.

Në anën tjetër, Meho Omeroviq, kryetari i Këshillit për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave i Kuvendit të Serbisë, thekson se situata në të cilën shqiptarët nga tri komunat jugore të Serbisë – Preshevë, Bujanoc dhe Medvegj – nuk e përjetojnë Shqipërinë si vend amë, por si vend amë e shohin Kosovën, paraqet problem.

“Kjo është keq për ne, keq për shtetin e Serbisë, por është keq edhe për ata”, ka vlerësuar Omeroviq.

Por, çfarë është komunikimi i shqiptarëve që jetojnë në komunat ku ata janë shumicë në jug të Serbisë me autoritetet e Beogradit?

“Ato kontakte janë të vazhdueshme dhe kanë të bëjnë me të gjitha problemet që kanë vetëqeverisjet lokale në kuadër të veprimtarive të tyre”, theksoi Stankoviq, sipas të cilit janë bërë lëvizje pozitive në drejtim të investimeve në tri komunat e pazhvilluara, përmes trupit koordinues.

Ai ka thënë se gjatë këtij viti, përveç buxhetit që kanë komunat, Bujanovcit dhe Preshevës u janë ndarë rreth 90 milionë dinarë për secilën komunë, si dhe rreth 30 milionë dinarë për Medvegjën.

Por, Musliu thotë se lidhur me komunikimin me autoritetet qendrore serbe, tash e një dekadë e gjysmë, ekziston një ngërç politik. Sipas tij, autoritetet e Beogradit nuk i janë qasur drejt zgjidhjes së çështjes së të drejtave të shqiptarëve në komunat ku ata janë shumicë.

“Prej (Vojisllav) Koshtunicës e deri të Aleksandri (Vuçiq, kryeministër aktual i Serbisë) nuk po shoh ndonjë ndryshim që ka vullnet Serbia që së paku t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve.”

“Tash, me këtë presionin që po i bën Evropa, është Kapitulli 23. Por, megjithatë, ky është ngërç politik që Serbia nuk është e interesuar që t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve. Serbia është e interesuar për tokë, jo për të drejtat e shqiptarëve. Çdo herë në platformë e ka që Serbia do të shtrihet dhe jo t’i zgjidhë problemet e shqiptarëve”, thotë Musliu.

Sidoqoftë, autoritetet lokale të komunave me shumicë shqiptare në jug të Serbisë, kanë theksuar se problemi më i madh është mosgatishmëria e autoriteteve qendrore të Serbisë që t’i integrojnë shqiptarët në institucionet publike.

Ata thonë se problemet ekzistojnë edhe në gjyqësi, me heqjen e Gjykatës themelore të Preshevës, ndërkaq që në Bujanoc, gjykata ekziston, por jo edhe prokuroria.

Sipas tyre, shqiptarët e këtyre komunave vazhdojnë të kenë probleme me arsimin, me pamundësinë që të furnizohen me tekste shkollore nga Kosova, si dhe pamundësinë për nostrifikimin e diplomave që i kanë arritur në Kosovë, pavarësisht marrëveshjeve që janë nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për njohjen e diplomave. /rel/