Të nderuar përfaqësues të mediave, ashtu siç premtuam për hapjen e universitetit të ri “Nënë Tereza” në Shkup, i cili funksionon me pesë fakultete, kryesisht teknike duke siguruar 84 punësime të stafit akademik dhe me një Rektorat i cili ndodhet në qendër të qytetit me të gjitha kushtet e nevojshme për funksionimin  e Universitetit, sot po premtojmë se politikat e Bashkimit Demokratik për Integrim në krye me Ali Ahmetin, po vazhdon rrugën e implementimit të këtij projekti gjigant dhe historik për shqiptarët e Maqedonisë.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka marrë të gjitha masat që nëpërmjet Ministrisë së Arsimit të bëjë rritjen e buxhetit për investimet kapitale nga viti në vit. Dua t’ju informoj se për objektin e Universitetit “Nënë Tereza” ne Shkup është siguruar plani i detajuar urbanistik, po ashtu nga ana e universitetit është duke u përgatitur koncepti dhe plani i universitetit, në bazë të së cilit Ministria do të publikojë konkurs publik për zgjedhje më të mirë ideore, andaj nga viti i ardhshëm planifikohet ndërtimi i kampusit universitar i Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup.