Brenda 24 orëve, kryeministri i ri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë dy letra të nivelit të lartë, të cilat i kërkonin atij të hiqte tarifën e vënë nga paraardhësi i tij, Ramush Haradinaj, ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, në mënyrë që t’i hapej rruga rifillimit të dialogut të ngecur me Serbin.

Zyra e Kurtit të enjten publikoi një letër nga sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, ku thuhej se pas një bllokade 15-muajshe, “është koha të arrihet normalizimi i plotë me Serbinë, i përqendruar mbi njohjen reciproke, e cila është esenciale për njohjen e plotë ndërkombëtare të Kosovës”.

Pompeo po ashtu i ka shkruar Kurtit se “heqja e tarifës ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina do të ishte e rëndësishme për t’i kthyer palët në tryezën e negociatave”.