Presidenti i ri i Francës, Emmanuel Macron ka zbuluar edhe emrat e kabinetit të tij qeveritar, tejet të balancuar në përputhje me angazhimet e ndërmarra në fushatë, teksa gjysma, plot 11 nga 22 postet ministrore, u janë besuar femrave.

Sylvie Goulard do të jetë ministrja e re e Mbrojtjes në Francë, ndërsa kampionja olimpike e skermës, Laura Flessel do të drejtojë dikasterin e Sporteve. Bruno Le Maire do të jetë ministri i Ekonomisë, ndërsa Gerard Collomb ka marrë një detyrë të vështirë në krye të Ministrisë së Brendshme, me François Bayrou që merr çelësat e Ministrisë së Drejtësisë.