Ish kundërzbuluesi Slobodan Bogoevski nuk u ballafaqua sot në gjykatë me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe me Musa Xhaferin. Seanca u shty për të dytën herë. Të dy politikanët e akuzojnë Bogoevskin për fyerje dhe shpifje. Avokatët e dyshes së BDI-së thonë se, Bogoevski si dëshmitar në rastin “Maxhar Telekom” dëshminë e ka dhënë në një zyrë avokatie në Shkup.

 

Ndërsa avokatët e Bogoevskit thonë se klienti i tyre dëshminë e ka dhënë në ambasadën amerikane për nevojat e gjykatës nga Nju Jorkut prandaj gjykata qytetare nuk ka kompetenca të vendosë për dëshminë e dhënë jashtë territorit të Maqedonisë. Bogoevski u kërcënua se nëse gjykata shpallet kompetente ai do të ngre padi kundër Ahmetit dhe Xhaferit por edhe kundër gjykatësit të këtij rasti.

 Le të përfundojë seanca përgatitore dhe varësisht nga vendimi i gjykatës do të procesoj procedurë penale kundër paditësve dhe të gjithë atyre që janë pjesë e kësaj, pasi po përpiqen të arrijnë më shumë efekte dhe të arsyetohen para elektoratit se janë të ndershëm – deklaroi Slobodan Bogoevski, ish drejtor i DSK-së.

Bogoevski në padinë e Ahmetit dhe Xhaferit vëren përpjekje nga ana e tyre që ta frikësojnë atë dhe ai ta tërheqë dëshminë e dhënë për gjykatës amerikane, përmes të cilës ai zbulon se funksionarë të lartë partiak në atë kohë kanë marrë mitë. Vendimin gjykata amerikane duhet ta bëjë të ditur në 7 maj.

 Padi të këtilla nuk janë të lejuara dhe janë të dënueshme sipas Kodit penal të Maqedonisë. Këtë unë e përjetoj si presion ndaj meje që të tërhiqem nga dëshmia ime në Nju Jork – shtoi Slobodan Bogoevski.

Ahmeti dhe Xhaferi nga Bogoevski kërkojnë 5.5 milion denarë për fyerje dhe shpifje. Bogoevski për gjyqin në Nju Jork në cilësinë e dëshmitarit deklaroi se përmes biznesmenit grek Kondominas, dyshja Ahmeti Xhaferi dhe kryeministri i atëhershëm Vllado Buçkovski kanë marrë mitë prej 7.5 milion euro që ta mbajnë situatën e monopolit në tregun e shërbimeve telefonike.

ALSAT