Ministri për Shoqëri Informatike dhe Administratë, Damjan Mançevski, mori fjalën në panelin e diskutimit me temë “Politikat dhe mediat”, në kuadër të konferencës më të madhe për media  “Ditët e medias BE-Ballkani perëndimor 2019”, në Podgoricë, njofton Meta.mk.

Ai iu referua reformave, Ligjit të ri për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike, si dhe sfidën e trajtimit të dezinformatave dhe lajmeve të rreme dhe konceptit të vetë-rregullimit.

“Gazetarët janë luftëtarët e rinj për liri dhe një mekanizëm mbrojtës, ne duhet të sigurojmë të gjitha mjetet e nevojshme që të mund ta udhëheqin këtë luftë. Roli ynë është që të përfshihemi në reforma, por nuk janë politikanët ata që duhet të udhëheqin luftën”, tha Mançevski, duke iu referuar ndryshimeve në Ligjin për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike.

Duke folur për vetë-rregullimin, Mançevski theksoi se beson në konceptin, por rezultatet nuk janë ende të dukshme. Sipas tij, përballë dëmtimit dhe shtrirjes në rritje të lajmeve të rreme, nevojiten edhe masa konkrete për rregullim.

“Përvojat nga referendumi për ndryshimin e emrit kanë konfirmuar se ata në anën tjetër të së vërtetës dhe gazetarisë profesionale janë të organizuar dhe bëjnë dëm të pariparueshëm ndaj parimeve demokratike në vendin tonë,” tha Mançevski.

Ai ishte ministri i vetëm nga Ballkani Perëndimor që pranoi ftesën dhe mori pjesë aktive në këtë aktivitet.