Ende nuk ka iniciativë për zgjatjen e mandatit të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunal. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se ai është duke pritur që iniciativa të vijë nga partitë politike pas marrëveshjs që duhet të arijnë ato. Partitë që janë pjesë e shumicës së re parlamentare, tanimë kanë konfirmuar se janë dakorduar që mandati i kryetarëve aktual të komunave të zgjatet deri në zgjedhjen e kryetarëve të rinj. Gjithashtu janë dakorduar që edhe zgjedhjet lokale të mbahen më 15 tetor, por edhe përkundër kësaj ata ende nuk kanë dorrëzuar në Kuvend asnjë iniciativë. Pengesa e vetme sipas informatave jozyrtare është VMRO-DPMNE, e cila në vazhdimësi bojkoton të gjitha takimet koordinuese te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. VMRO-DPMNE ka kushtëzuar që bashkë me zgjedhjet lokale në tetor të mbahen edhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Pëlqimi i VMRO-DPMNE-së për zgjatjen e mandatit të kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunal është i patjetërsueshëm edhe për shkak të numrave në Kuvend. Për ndryshimin e ligjit të pushtetit lokal, nevojiten dy të tretat apo 81 vota, ndërsa shumica aktuale parlamentare ka 67 vota. Përveç ligjit të pushtetit lokal, për t’ua zgjatur mandatin kryetarëve aktual, duhet të ndryshohet edhe kodi zgjedhor. Por paraprakisht Kuvendi duhet të themeloj trupat parlamentar. I pari që duhet të konstituohet është komisioni për çështje të zgjedhjeve dhe emrimeve. Edhe për këtë seancë e cila është ndërprerë më 27 prill, nevojitet marëveshje me VMRO-DPMNE-në, pasi mbi 40 deputet të kësaj partie janë paraqitur për diskutim, ndërsa kujtojmë se përmes replikave dhe kundërreplikave, 17 deputet të VMRO-së kanë zvarritur debatin për 20 ditë. Pas konstituimit të komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emrimeve, Kuvendi duhet të themelojë edhe komisionet e tjera, ndërsa për ndryshimet e nevojshme ligjore, të patjetërsueshme janë të paktën dy komisione, komisioni për sistem politik dhe ai juridikoligjvënës. Por, për të gjitha trupat parlamentare partitë parlamentare në një mbledhje koordinuese duhet të arijnë marëveshje edhe për përfaqësimin e tyre në komisione dhe emrat e anëtarëve, zëvendës anëtarëve, kryetarëve dhe zëvendëskryetarëve. Nëse të gjitha këto procedura dhe ndryshimet e nevojshme ligjore nuk kryhen në afat sa më të shpejtë, të punësuarit nëpër shkolla fillore dhe të mesme, administrata komunale dhe të punësuarit në ndërmarjet publike komunale, nuk do të mund të marin paga, pasi kryetarët aktual nuk kanë të drejtë tanimë as të nënshkruajnë pagesa dhe as të sjellin vendime të reja. Mandati i kryetarëve të komunave dhe këshilltarëve komunal ka përfunduar më 15 maj./SHENJA/