Në qoftë se nuk respektohen rregullat për përdorim dhe mbajtje të pajisjes dimërore në automjete, të cilët janë paraparë në Ligjin për siguri në komunikacionin rrugor, çdo shoferi që vepron në kundërshtim me dispozitat do t’i jepet urdhër-pagesë me gjobë në vlerë prej 45 euro në kundërvlerë të denarit, gjegjësisht do t’i regjistrohen 25 pikë negative, përkujtojnë nga Këshilli republikan për siguri të komunikacionit në rrugë (KRSKRR).

Nëpunësi policor, sipas dispozitave ligjore, do t’i urdhërojë shoferit ta ndalë lëvizjen e mëtejshme të automjetit nëse nuk vepron sipas shenjës në komunikacion për mbajtje të obligueshme dhe përdorimit të pajisjes dimërore.

Gjithashtu, nëpunësi policor mund t’i urdhërojë shoferit ta ndalë lëvizjen e mëtejshme edhe atëherë kur nuk ekziston shenjë komunikacioni për mbajtje të obligueshme të pajisjes dimërore, nëse kushtet dimërore në rrugë nuk mundësojnë zhvillim të papengueshëm dhe të sigurt të komunikacionit, gjegjësisht nëpunësi policor mund t’i urdhërojë shoferit që detyrimisht ta vendosë pajisjen dimërore në automjet.

Detyrimi për mbajtje të pajisjeve dimërore nëpër automjete filloi të vlejë nga 15 nëntori i vitit 2016, ndërsa do të zgjasë deri më 15 mars të vitit 2017.

Përndryshe, sipas ligjit për siguri të komunikacionit rrugor dhe pastrim publik, personat juridik, pronarët e objekteve, të cilat nuk do të sigurojnë vazhdimisht dhe pastrim kualitativ të dëborës nga hapësirat publike përpara objekteve, do të gjobiten nga 500 deri në 1000 euro dhe plus 100 euro për personin përgjegjës të objektit.

Gjobë prej 2000 deri në 3000 euro janë të paraparë për personat juridik të cilët janë përgjegjës për mirëmbajtjen e hapësirave publike, nëse në kohë nuk e pastrojnë dëborën.