Deputetët në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë sot në suaza të seancës së 27-të plenare duhet të prononcohen për propozimet e presidentit Gjorge Ivanov, Osman Kadriu dhe Darko Kostadinovski të jenë gjykatësit e rinj kushtetues. Në rend dite të kësaj seance është edhe Propozim-ligji për përdorimin e gjuhëve. Janë caktuar edhe pesë seanca të tjera dhe seanca e Komisionit për Sistem Politik dhe seanca e komisionit Ligjdhënës – juridik.

Tani për tani ende është e pasigurt nëse deputetët e partisë opozitare do të përfshihen në punën e Kuvendit. Pritjet janë se VMRO-DPMNE-ja do t’i publikojë hapat e ardhshme të partisë, midis të cilave edhe veprimin e deputetëve, siç para disa ditësh në një intervistë paralajmëroi lideri i partisë, Hristian Mickoski.

Nevoja për sjelljen e ligjit për përdorimin e gjuhëve u votua nga deputetët më 15 nëntor të vitit të kaluar. “Pro” votuan 66 deputetë, ndërsa 41 ishin “kundër”.

Debati i ligjit të gjuhëve në lexim të parë zgjati 8 ditë, dhe që në të tetë ditët deputetët e VMRO-DPMNE-së të njëjtin e vlerësuan si “antikushtetues” dhe “ligj që nuk i plotëson nevojat e të gjithë qytetarëve të Maqedonisë”. “Kundër” ligjit të gjuhëve në lexim të parë ishte opozitarja VMRO-DPMNE.

Ndryshe, për në mesditë është paralajmëruar fillimisht vazhdimi i seancës së 27-të në të cilën në rend dite janë, mes tjerash, Propozimi për përzgjedhjen e gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Maqedonisë, Propozim ligji për përdorimin e gjuhëve, në lexim të dytë, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për marrëdhënie të punës, në lexim të parë, të parashtruar nga 11.868 votues, në lexim të parë dhe disa ligje dhe vendime të tjera.

Në seancën e 26-të në rend dite janë ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për sigurim pensional dhe invalidor, me procedurë të shkurtuar, në seancën e 22-të janë ndryshimet dhe plotësimet reformuese të Ligjit për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe Propozim ligji për ndërprerjen e vlefshmërisë së Ligjit për Këshillin për konfirmimin e fakteve dhe ngritjen e procedurës për konfirmimin e përgjegjësisë për gjykatës, të dy me procedurë të shkurtuar.

Janë caktuar edhe vazhdime të seancës së 11-të, 13-të dhe 15-të, me nga disa pika në rend dite.

Në Kuvend duhet të mbahen edhe vazhdimet e Komisionit kuvendor për sistem politik dhe marrëdhënie midis bashkësive dhe Komisionit ligjdhënës-juridik.