Një nga premtimet më të mëdha të kryeministrit Zoran Zaev para zgjedhjeve ishte paga mesatare prej 500 eurove. Paga minimale u rrit në 12 mijë denarë, por jo edhe paga mesatare. Sipas deklaratës së atëhershme të kryeministrit, rritja e pagës minimale duhet t’i hapte spiralet edhe për pagat e tjera.

“Do të arrijmë pagën mesatare prej 500 eurove. Shteti do të intervenojë përmes buxhetit. Drejtpërdrejt të holla nga buxheti deri tek kompanitë vendore dhe gjithkund tjetër. Kur populli ka të holla, ka mundësi të paguajë edhe fatura edhe shpenzime”, u shpreh Zoran Zaev, Kryeministër.

Sipas të dhënave të Entit Shtetëror për Statistikë, për momentin paga mesatare neto është 24. 210 denarë, ose pothuajse 100 euro më pak nga ajo që e premtonte LSDM në fushatën parazgjedhore në fund të vitit 2016.

TV21 kërkoi përgjigje nga ministri i financave Dragan Tevdovski se kur mundet që qytetarët të presin përmbushjen e premtimit të tyre. Ai u shpreh se Qeveria është e kënaqur nga rritja në vlerë prej 5% në nivel vjetor, gjë që sipas tij nuk është parë në dekadën e fundit:

“Dhamë mbështetje që të rritet jo vetëm paga minimale, por edhe spiralet për pagat të cilat janë mbi minimalen. Kemi masa për mbështetje të kompanive për punësime dhe investime. Ideja është që të japim mbështetje, por edhe të kryejmë presion që të rriten pagat”, tha Dragan Tevdovski, Ministër i Financave.

Megjithatë, për opozitaren VMR0-DPMNE, qeveria nuk është as afër përmbushjes së premtimit. 500 euro pagë po, por për familjarët të cilët punojnë në firmat e Zaevit, Angjushevit dhe për ata të cilët janë të afërt me pushtetin, akuzojnë nga opozita.

“500 euro pagë mesatare, 100,000 denarë për doktorët, rritje të pensioneve, bursa për studentët e gjëra të tjera, asgjë nga këto nuk është realizuar. Plani i vetëm sipas të cilit punon LSDM, Tevdovski dhe Zaev dhe të gjithë të tjerët është marrja e borxhit dhe mbushja e llogarive të firmave të personave të afërt me pushtetin”, u shpreh Dimçe Arsovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Sipas qendrës hulumtuese “Demostat”, por edhe sipas “Eurostat”, në tremujorin e parë të vitit 2018, Maqedonia ka pagën më të ulët mesatare në krahasim me vendet e tjera të rajonit. Pagë më ta lartë mesatare nga vendet ish-anëtare të Jugosllavisë ka Sllovenia, më pas vjen Kroacia.