Mbi 780 mijë euro planifikohen të harxhohen për zbukurim dhe dekorim të komunave në vend për Vitin 2017. Kjo shumë është për 60 mijë euro më e lartë se ajo e vitit të kaluar, tregon analiza e prokurimeve publike të Qendrës për Komunikime Qytetare.

Në analizë janë të përfshira 31 komuna, pre të cilave një pjesë e tyre kanë nënshkruar marrëveshje për zbukurim, një pjesë kanë bërë ankande dhe janë marrë parasysh çmimet e arritura, ndërkaq disa prej tyre e kanë llogaritur vlerën e përgjithshme të prokurimit.

Më së shumti para do të harxhojë qyteti i Shkupit – mbi 195 mijë euro, që është 25 mijë euro më shumë se sa vitin e kaluar. Marrëveshja është bërë me ndërmarrjen “Link Media Plus DOOEL”, e njëjta kompani e cila zakonisht i merr tenderët për zbukurim. Këtë vit kjo kompani, tanimë ka nënshkruar 5 marrëveshje, ndërkaq edhe për 5 të tjera ka çmim më të volitshëm në ankandet elektronike dhe është e qartë se të njëjtat  do t’i fitojë. Kjo do të thotë se “Link Media Plus” do të fitojë marrëveshje me vlerë prej gjysmë milionë euro, ose 2/3 e “biznesit” për dekorim të qyteteve për Vitin e Ri.

Kjo ndërmarrje deri më tani ka nënshkruar marrëveshje me Qytetin e Shkupit, Komunën e Karposhit, Qendrës, Gjorçe Petrovit dhe Strumicës, ndërkaq nëpërmjet ankandeve elektronike pritet të nënshkruajë marrëveshje edhe me Komunën e Kumanovës, Vallandovës, Gjevgjelisë, Radovsishit dhe Gazi Babës.

Tenderin më të shtrenjtë për zbukurim për këtë vit e ka komuna e Karposhit, gjegjësisht mbi 100 mijë euro. komuna e tretë që do të harxhojë më shumë para për dekorim për Vitin e Ri, është Qendra e cila ka nënshkruar marrëveshje prej 57 mijë euro me ndërmarrjen Link Media, gjë që është për dy mijë euro më i lartë se ai i vitit të kaluar, përcjellë Portalb.

Këto tre komuna edhe vitin e kaluar kanë qenë në vendet e para, sipas harxhimeve të parave për drita, figura dhe bredha të vitit të ri.

Nëse analizohen të dhënat, shkruan BIRN, në lidhje me numrin e banorëve, del se komuna e Karposhit do të harxhojë më shumë para për zbukurim në kokë banori. Sipas llogaritjeve, një banorit të Karposhit zbukurimi do t’i kushtojë 1.7 euro. Banorëve të Qendrës zbukurimi për Vitin e Ri do t’u kushtojë 1.25 euro për kokë banori, ndërkaq atyre të Gevgjelisë për 1 euro në kokë banori.

Përndryshe në opinion u përfol shumë që komunat do t’i anulojnë kremtimet për vitin e ri dhe paratë do t’i dërgojnë për qëllime humanitare. Deri më tani, vetëm Qyteti i Shkupi ka vendosur që ta anulojë kremtimin dhe pritjen e vitit 2017, i cili do të kushtojnë 2 milionë denarë, gjegjësisht rreth 32 mijë euro. Qyteti paratë do t’i donojë për qëllime sociale.

Megjithatë, ekziston e dhëna se vetëm për bredha të vitit të ri, zbukurime dhe drita, nga buxhetet e komunave do të harxhohen mbi 780 mijë euro. /Portalb