Paguaj një merr dy, çdo gjë me gjysmë çmimi, koleksioni i ri me çmime të vjetra, lirime dimërore apo verore , të vitit të ri, shkruan gazeta KOHA.

Këto janë vetëm një pjesë e mesazheve të rrejshme që i përdorin disa nga dyqanet, me qëllim të tërheqin blerës të ri. Qytetarëve për çdo vit nga tregtarë të caktuar u ofrohen zbritje prej 20 deri 70 për qind në dyqane të cilat merren me shitjen e produkteve të ndryshme, por jo çdo herë ato çmime janë të sakta apo edhe produktet e tilla mund t’i blesh me ato çmime që reklamohen.

Qytetarët dëshpërohen kur, duke menduar se do të blejnë prodhime me zbritje, hyjnë në dyqan dhe shohin se vetëm një pjesë e vogël e prodhimeve ka lirim të tillë, edhe në pse në vitrinat ku është ekspozuar malli qëndrojnë reklama të mëdha për zbritje për tërë mallin, ndërsa në momentin kur vijnë te arka konstatojnë se lirimi vlen vetëm për prodhime të caktuara.