Shpesh blejmë lodra për fëmijët duke mos pasur kujdes sa është e përshtatshme për moshën, prej çfarë materiali është bërë lodra, ose nëse e përmban shenjën CE, e cila do të thotë se lodra nuk është e dëmshme për shëndetin e foshnjës. Aktualisht, shkruan gazeta KOHA, në tregun e Maqedonisë dyqanet janë përplot me zbukurime të Vitit të Ri, lodra me drita, spërkatës, të cilët nuk janë të sigurt dhe janë të rrezikshëm për fëmijët. Por, edhe përkundër asaj se në Maqedoni implementohen masa rigoroze për siguri të lodrave të cilat i zbaton Bashkimi Evropian, megjithatë në dyqane ende shiten lodra me prejardhje të dyshimtë.

 

Se ky problem është i madh, tregon edhe fakti se lodrat e dëmshme për fëmijë mund të gjinden dhe në dyqanet e vendeve evropiane, edhe pse atje shpesh kryhen kontrolle veçanërisht para Krishtlindjeve, periudhë edhe kur ato shiten më shumë. Shqetëson fakti se materiet e këtilla të dëmshme janë zbuluar te lodrat të cilat për çdo ditë konsumatorët i blejnë si topa gome, kamion plastike, kukulla etj.

Me ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve para se të lëshohet për shitje lodra duhet t’i plotësojë kushtet e sigurisë dhe kushtet shëndetësore. Lodrat duhet të jenë të dizajnuara dhe të prodhuara në mënyrë që t’i plotësojnë standardet për higjienë që të tejkalohet çdo rrezik për infektim, sëmundje dhe kontaminim. Lodrat për fëmijë deri një vjet duhet të jenë të përpunuara nga material i cili do të mund të dezinfektohet, me çka lodra nuk guxon ta ndryshojë cilësinë. Fijet nga lodrat dhe flokët e kukullave nuk guxojnë të bien gjatë krehjes ose shkuljes. Ngjyrat e lodrave nuk guxojnë të përmbajnë erëra dhe të dalin gjatë fërkim me pambuk, larjes me ujë të ngrohtë dhe sapun.

Organizata e konsumatorëve ka përgatitur broshurë sensibilizuese përmes të cilës synon të edukojë qytetarët që t’i kushtohet vëmendje kur zgjidhen lodra për fëmijë dhe si ta mbrohen nga efektet e padëshiruara. Në këtë broshurë theksohet se gjatë blerjes së lodrave për fëmijë sidomos duhet patur parasysh madhësia, forma dhe materiali prej të cilit është bërë dhe nëse ato përmbajnë  CE. Kjo shenjë është vendosur nga BE dhe do të thotë se lodra është e prodhuar sipas standardeve të definuara për të zvogëluar rreziqet fizike, kimike, elektrike dhe shëndetësore. Sidoqoftë, shenja CE përmban disa aspekte të sigurisë në lidhje me gjendjen normale dhe përdorimin e lodrave dhe nuk paraqet indikator për cilësi.

Hulumtimet e deritanishme evropiane tregojnë se edhe lodrat të cilët e përmbajnë këtë shenjë nuk janë të sigurta për fëmijët, pasi përmbajnë pjesë shumë të vogla të cilat janë të rrezikshme dhe mund të gëlltiten nga foshnjat, ndërsa metalet e rënda nga të cilët janë bërë karrocat ndikojnë negativisht në shëndetin e fëmijëve. Lodrat për fëmijë të cilët shiten në dyqane dhe në treg prodhohen në Azi, ndërsa pjesë e madhe e tyre nuk i përmbushin standardet e sigurisë.

Nga ana tjetër, për shkak të buxhetit të kufizuar për dhurata për fëmijën e tyre, prindërit zakonisht e refuzojnë lodrën të cilën mund t’ia lejojnë vetes dhe për këtë arsye pak kanë interes në këtë çështje. Vitet e fundit, siguria e lodrave në Maqedoni është përditësuar për shkak se vetëdija e prindërve është ngritur në nivel të lartë. Prandaj, në euforinë e festave të fundvitit prindërit duhet të jenë të kujdesshëm në lidhje me blerjen e lodrave për fëmijë, t’i lexojnë deklaratat e lodrave, të kenë kujdes në etiketat dhe vërejtjet tjera të ngjitura në paketimet e lodrave.