Sindikata për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SASHK) në Maqedoni kërkon nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës që ta rishqyrtojë vendimin për mësimin me prezencë fizike, gjegjësisht t’i lejojë mësuesit ta zhvillojnë mësimin nga shtëpia.

Nga Sindikata thonë se mësuesit me sëmundje kronike çdo ditë në punë udhëtojnë me autobus dhe janë të ekspozuar në rrezik ndaj coronavirusit, përcjell Telegrafi Maqedoni.

SASHK kërkon nga drejtorët që me kërkesë të mësuesve, t’i lejojnë të punojnë nga shtëpia dhe në pagën e tetorit të llogariten edhe orët shtesë.

“Të gjitha paralelet që kanë mbi 20 nxënës, duhet të ndahen në dy grupe, që do të thotë ndarje të punës së mësuesve. Kërkojmë nga drejtorët këtë punë shtesë ta llogarisin dhe ta vendosin në mënyrë të shtesës në pagë, pasi kanë punuar jashtë orarit”, thonë nga SASHK.

Ata theksojnë se ekziston bazë ligjore në Ligjin për marrëdhënie pune dhe marrëveshjes së përgjithshme kolektive.

Ndryshe, sipas vendimit të fundit të MASH, mësuesit është dashur që të jenë prezent në shkolla, gjatë realizimit të mësimit online.