Qeveria e Maqedonisë së Veriut në seancën e djeshme i shqyrtoi rekomandimet e Komisionit për Sëmundje Infektive (mbajtje e detyrueshme e maskës në hapësira të jashtme, ndalesë për grupim pas orës 22:00), me çka vendosi se duhen ndryshime ligjore në Ligjin për mbrojtje të popullsisë nga sëmundjet infektive.

Siç thuhet në njoftimin e Qeverisë, për zbatimin e masave të reja kufizuese, është e nevojshme të bëhen ndryshimet adekuate me akte nënligjore qeveritare, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Komisioni për Sëmundje Infektive javën e kaluar propozoi që maska të bëhet e detyrueshme edhe në hapësira të jashtme, të kufizohet numri i personave që grupohen në shtëpi, si dhe të ndalohet grupimi në hapësirat publike pas orës 22:00.

Ky propozim erdhi pasi ditëve të kaluara është regjistruar numër i madh i rasteve të reja me COVID-19.

Për momentin numri i përgjithshëm i të infektuarve është 21.193, prej të cilëve 16.397 janë shëruar, ndërsa 800 persona kanë ndërruar jetë. Numri i rasteve aktive deri dje (13 tetor) është 3.996.