Më shumë se 300 pensionistë të anëtarësuar në fondin e dytë pensional do të dëmtohen për shkak të reformës në sistemin e pensionimit. Për pasojat nga ndryshimet në sistemin pensional, pensionistët nuk kanë qenë të njoftuar, transmeton Portalb.mk.

Këtu përfshihen pensionistët të cilët në vitin 2015 u janë dashur rreth 10-15 vite për t’u pensionuar dhe nuk është dashur që të anëtarësohen në shkallën e dytë të sistemit pensional. Ato u tmerruan kur pas kërkesës për pension, Fondi për Sigurim Pensional dhe Invalidor (FSPI) u parashkroi pension shumë herë më të vogël se sa realisht duhej të merrnin.

Tre prej tyre tashmë janë ankuar edhe te Avokati i Popullit.

“Në ankesë, qytetarët tregojnë se askush nuk i ka informuar se nuk duhej të anëtarësohen në fondet private. Kurse tash nuk kanë kohe të mjaftueshme për të mbledhur mjete për të paguar sërish. Për qytetarët anëtarësia në fondin privat ka qenë i padobishëm”, thonë nga zyra e obdusmanit.

Edhe Agjencia për Supervizion thotë se 315 qytetarë janë dëmtuar me këto ndryshime dhe se do të pranojnë pension më të ulët.

Nga Agjencia për Supervizion i Finansimit Kapital të Sigurimit Pensional “MAPAS”, vërtetojnë se ekzistojnë probleme dhe se janë në dijeni për ato, por ajo nuk është përgjegjësi e tyre por e qytetarëve të cilët i kanë bërë marrëveshjet.

Nga atje thonë se punojnë në propozim-ligjin me anë të së cilit do të kërkohet kthim i pensionistëve të dëmtuar në Fondin Shtetëror Pensional dhe të ju transferohen paratë nga fondet private pensionale.