Muhamer Pajziti

Të lodhur nga sistemi i korruptuar dhe kriminal, nga mungesa e perspektivës, një pjesë e madhe e të rinjve në Maqedonisë, po e braktisin vendin drejtë një fillimin të ri në vendet e perëndimit.

Dëshira për ikje gjithnjë e më tepër po rritet. Kjo konstatohet edhe në studimin e fondacionit Fridrih Ebert, i cili potencon se më shumë se gjysma e të rinjve në këtë shtet duan të largohen në vendet evropiane, për të mos u kthyer kurrë më në vatrat e tyre, njofton agjencia e lajmeve INA.

Fatkeqësisht, në mesin e tyre, ka edhe mjekë, ekonomistë dhe të profesioneve tjera, të cilët janë ngulfatur nga politizimi i të gjitha sferave të jetës.

Numri i tyre nuk është i vogël. Sipas të dhënave të orgamozatës për bashkëpunim ekonomik dhe zhvillim, për vetëm një vit, Maqedoninë e kanë braktisur 20.563 qytetarë. Sipas këtij raporti të rinjtë janë vendosur në Gjermani, Austri, Zvicë dhe SHBA.

Por, pse po ikë gjitha ajo armatë e rinisë? Çka i detyron ata që 15 vite nga përfundimi i luftës të marrin rrugën pa kthim drejt vendeve evroperëndimore?, atje ku kemi një realitet të krizës së brendshme dhe pasigurisë së vetë qytetarëve të atyre vendeve.

Përgjigja është shumë lehtë dhe mjafton të kthehemi në retrospektivë dhe të kujtojmë vetëm ngjarjet e vitit 2015, i cili ishte një vit i mbrapshtë për Maqedoninë. Storje që tronditën mbarë opinionin, duke filluar kriminaliteti dhe amoraliteti i politikës që u shfaqën nga materialet e përgjuara, arsimi, shëndetësia, dhe shumë sfera tjera që dëshmuan se shoqëria jonë po shkon drejtë degradimit.

Eksodi i trurit të ri është si rezultat i brishtësisë së shtetit, dominimit dhe indoktrinimit politik në çdo pore të shoqërisë dhe jetës së përditshme, anashkalimi i trurit dhe intelektualizmit, dominimi i klasave mediokre politike të zhytura në krim të organizuar dhe korrupsion të hatashëm.

Kjo armatë që ka pushtuar institucionet dhe sferat e tjera shoqërore është një oktapod gllabërues që thellon humnerën e një keqqeverisje dhe mungesën e një vizioni për të ardhmen e vendit dhe sidomos popullsisë së re, duke servuar varfërinë dhe pasigurinë totale.

Korrupsioni, kriminaliteti i jakës së bardh, mungesa e edukimit profesional, po i pamundëson Maqedonisë një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm si dhe një perspektivë më të mirë për të rinjtë.

E vetmja mundësi, për të pa parandaluar dhe dënuar këtë kastë politikanësh që shkaktoi një dramë të madhe shoqërore, është një alternativë e re politike për të rivendosur demokracinë, shtetin e së drejtës si dhe për të përshpejtuar integrimin e vendit në strukturat euroatlantike. (INA)