Java shqiptare e trashëgimisë, ritualet e dasmës në Kërçovë, traditat në rajonin e Kumanovës, Pehlivanët në Studeniçan, Karnavalet e Bozovcës, janë disa prej projekteve për mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale të cilat do të realizohen gjatë këtij viti me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe pjesë e Programit vjetor, shkruan gazeta KOHA.

Edhe këtë vit, në Veprimtarinë muzeale dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore jomateriale – numri i aplikimeve dhe projekteve shqiptare në këtë sferë ka qenë i kufizuar, si nga shoqatat, ashtu edhe nga institucionet, apo komunat. Instituti i Trashëgimisë shënon numrin më të madh të projekteve të paraqitura, ndërsa pjesa tjetër i takon shoqatave dhe më pak komunave. Ritualet e dasmës kërçovare, në qytet dhe fshatra është në qendër të projekteve të këtij viti për mbrojtjen e trashëgimisë jomateriale.

Përveç ITSHKSH, që do të realizojë projektin për valorizimin e dasmës shqiptare në Kërçovë dhe rrethinë, një projekt për ritualet e dasmës do të realizohet edhe nga një shoqatë nga ky qytet. ITSHKSH po ashtu do të realizojë edhe një tjetër projekt për valorizimin e të kënduarit polifonik me dy zëra të rajonit të Kërçovës, projekte këto që do të shërbejnë për të dokumentuar këto dy trashëgimi jomateriale në Regjistrin nacional të trashëgimisë. Trashëgimia kulturore dhe natyrore e rajonit të Kumanovës, po ashtu është një tjetër projekt që do të realizohet nga Instituti, krahas manifestimit Java e trashëgimisë. Komuna e Studeniçanit si edhe vitet e tjera – do të realizojë manifestimin për Pehlivanët, si pjesë e kultivimit të trashëgimisë së kësaj zone.

Aktivitete të ngjashme ka edhe nga shoqata të tjera, në Shkup, Tetovë dhe projekte të ngjashme si monografi me dokumente, fotografi dhe dëshmi për familjet katolike Shqiptare në Shkup, e të tjera. Ndërkohë që institucionet e tjera, kryesisht muzetë nacionale shënojnë një numër po ashtu të vogël projektesh në këtë veprimtari.

Mes tyre është muzeu i Shtëpisë së Alfabetit, në të cilin ndër të tjera planifikohen aktivitete për kultivimin e kulturës dhe mbrojtjen e trashëgimisë tek moshat më të reja. Deficitetet e mëdha sa i takon mbrojtjes së trashëgimisë jomateriale janë reflektuar në numrin e vogël të thesareve të kulturës shqiptare që janë të regjistruara si të tilla në Regjistrin Nacional të Pasurive. Kjo është një prej arsyeve që për shumë prej tyre nuk është munduar që të aplikohet për të realizuar projekte më të mëdha për mbrojtjen e tyre nga zhdukja.

Karnavalet Ilire janë një prej projekteve që mbështeten edhe nga Ministria e Kulturës që do të nisin të parat të realizohen për këtë vit, pas disa ditësh në fshatin Bozovcë. Ndërkohë që alarmi vazhdimisht jepet nga ekspertë të kësaj fushe për rrezikun nga zhdukja të një pjese të mirë të trashëgimisë jomateriale, e cila në pamundësi për t’u hulumtuar dokumentuar dhe ruajtur është zhbërë dhe transformuar, duke iu përshtatur formave të reja të jetesës.