Numri i zjarreve të shkaktuara në vend, qoftë në objekte banimi ose objekte të tjera ka shënuar rritje të madhe që në muajt e parë të vitit. Nga njësia e zjarrfikësve në Shkup thonë se vetëm gjatë muajit janar janë kryer 107 intervenime Xvonko Tomevski, komandant i njësisë në Shkup tha për Alsat se për të depërtuar në vendet e zjarrit ballafaqohen me probleme të mëdha, posaçërisht për shkak të bllokimit të rrugëve nga numri i madh i makinave.

Gjatë periudhës së dimrit vështirësitë më të mëdha janë moti më lagështi, vështirësitë që kemi gjatë gjithë vitit janë depërtimi i pamundur nëpër vende të ndryshme, respektivisht parkimi i makinave, pengesa të shumta arkitektonike, kështu që gjithë kjo vështirëson intervenimin tonë që dëshirojmë ta kryejmë sa ma shpejtë. Gjithashtu, pengesë tjetër gjatë intervenimit tonë, posaçërisht në objektet kolektive për banim është mungesa pajisjes së duhur që është e paraparë në vet objektin, kjo është karakteristike për gjithë qytetin, rrjet hidraulik jo i duhur dhe mungesë të dollapeve të kompletuar hidraulike – deklaroi Xvonko Tomevski, kamandant i Njësisë zjarrfikëse.

Edhe zjarrfikësi Nuredin Mustafa thotë se infrastruktura e shkatërruar në Shkup, posaçërisht në pjesë të caktuara të komunave Çair, Butel dhe Shuto Orizarë vështirëson arritjen me kohë të makinave të zjarfikësve. Përveç kësaj ata përballen edhe me numër jo të mjaftueshëm të personelit.

Për zjarrin është shumë me rëndësi të paraqitet në kohë, në të shumtën e rasteve kur ndodhin zjarret gjatë natës nuk vërehen, vërehet kur të del flaka mbi shtëpi apo kur ta vërej ndonjë kalues, pra është me rëndësi koha, në çfarë kohe paraqitet zjarri pastaj është shumë me rëndësi edhe koha e arritjes. Në komunën e Cairit arritja deri në vendin e ngjarjes është e pamundur mund të them sidomos nëpër rrugën Cvetan Dimov në Çairçankë dhe më lartë lidhjen me Xhon Kenedi. Hyrja në lagjet Dizhon, Gazi Babe dhe Seravë është shumë e rëndë – tha Nuredin Mustafa, zjarrfikës.

Për momentin, në njësinë e zjarrfikësve në Shkup janë të punësuar rreth 230 persona prej të cilëve 19 shqiptarë. Përveç rritjes së numrit të të punësuarve, zjarrfikësit kërkojnë edhe ripërtëritjen e parkut vozitës ose pajisjeve pasi i njëjti është shumë i vjetërsuar dhe numëron vetëm 50 makina të llojeve të ndryshme. Nga zjarret, vetëm gjatë muajit të kaluar jetën e kanë humbur pesë persona në Tetovë dhe dy në Manastië.