Në Maqedoni çdo vit shënohen rreth 300 raste të reja të grave të sëmura nga kanceri i qafës së mitrës, dhe më tepër se gjysma e tyre humbin jetën si pasojë e sëmundjes. Mjekët këshillojnë kontrolle të rregulta gjinekologjike duke përfshirë Pap testin, si një mundësi efikase për parandalimin e kancerit në qafën e mitrës.

Si shkaktari i kancerit në qafën e mitrës më së shpeshti konsiderohet virusi Human Papilloma apo HPV. Virusi zakonisht transmetohet përmes marrëdhënieve seksuale. Mjekët thonë se edhe pse mjekësia është avancuar, kjo sëmundje ende shkakton probleme.
 
“Kanceri në qafën e mitrës, edhe krahas faktit që sot  kemi mjekësi moderne, përsëri paraqitet si  problem. Problemi është edhe më i madh, sepse numrat tregojnë se 78 për qind e rasteve në botë janë me kancer invaziv, ku më nuk kanë gjasa të shërohen. Këto raste ndodhin në shtetet me zhvillim mesatar dhe të ulët”, tha gjinekologu, Dr. Goran Dimitrov.
 
Nga Shoqata “Borka”, si parandalim më të mirë e rekomandojnë vaksinën kundër HPV-së, e cila sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, ka mundësi ta zvogëlojë për 94 për qind rrezikun nga kjo sëmundje.  Mjekët thonë se kjo vaksinë është shumë e sigurt.
 
“Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe vaksinimi i adoleshenteve, mund ta zvogëlojnë dukshëm rrezikun për kancerin në qafën e mitrës, madje atë mund ta zvogëlojnë për 94%”, tha kryetarja e shoqatës “Borka”, Biba Dodeva.
 
Në Maqedoni, kanceri në qafën e mitrës është në vendin e katërt nga të gjitha llojet e kancerit që  preken më së shumti njerëzit, ndërsa tek gratë ai është në vendin e dytë, menjëherë pas kancerit të gjirit. Nëse ky lloj i kancerit zbulohet në fazat e hershme, mund të shërohet. Mënyrat më efikase për ta zbuluar në kohë këtë sëmundje fatale janë kontrollet e rregullta gjinekologjike dhe testet PAP.