Merxhan Jakupi

Teksa po shkruaja këtë artikull, më erdhi ndërmend para ca viteve, udhëtimi me familjen, destinacion Shkup-Zürich. Duke kontrolluar pasaportat doganierja e pyeti vajzën time, pse nuk flet maqedonisht. Duke ditur që vajza ime nuk di maqedonisht, unë iu drejtova doganieres. Më falni zonjë, vajza ime si gjithë fëmijët që kanë lindur dhe janë rritur në Perëndim nuk di të flasë maqedonisht. Ajo nuk e di mirë gjuhën amtare, aq më pak  maqedonishten, por  mund ti flisni lirshëm gjermanisht ose anglisht. Ju zonjë, po të  punoni si doganiere në Zvicër dhe të pyetni një Italian nga kantoni Tesinos ose një francez nga Gjeneva, pse nuk flisni gjermanisht, dhe nuk e keni mësuar gjermanishten, sipas ligjit, për fyerje që bëni qytetarëve të Zvicrës do të ndëshkoheshit me gjobë, ose do të suspendoheshit nga puna. Në fund, doganierja maqedonase, me narcizëm dhe urrejtje patologjike më tha: Ju si prindër duhet ta mësoni vajzën tuaj, të mësojë gjuhën e shtetit, maqedonishten. Këto provokime kanë ndodhur shpesh tek të rinjtë, që kanë shkuar në fëmijëri ose kanë lindur në Perëndim. Prologu dhe fenomeni i njëjtë, ka ndodhur dhe me djalin tim. Doganierët i kanë marrë në pyetje dhe provokuar,  shumë të rinj që ktheheshin për pushime,  se a e kanë kryer shërbimin ushtarak, dhe pse nuk e kanë mësuar maqedonishten. Duke e pyetur djalin tim se a e ke kryer shërbimin ushtarak, ai ishte përgjigjur në gjuhë angleze, se nuk di të flas maqedonisht. Doganieri e kishte shtruar të njëjtën pyetje, pse ju të  rinjtë shqiptar nuk e keni mësuar gjuhën maqedonase dhe se herën tjetër kur të vini, duhet të mësoni gjuhën maqedonase. Djali im pak i acaruar, ishte përgjigjur doganierit maqedonas, se radhën tjetër kur të vij, do të vij me pasaportë zvicerane, e jo maqedonase. Doganieri këtë radhë nuk ishte hidhëruar, por me buzëqeshje na dha pasaportën, dhe dukej sikur iu bë qejfi, më tha djali im. Djali im Habib Jakupi i edukuar dhe emancipuar, mes dy kulturave me interkulturë kozmopolite, më tha që kur shkoj me pushime në Maqedoni kam krizë identiteti. Ndihem i huaj si qytetar i ndonjë shteti tjetër. Perceptoj dhe vërej se Maqedonia nuk është atdheu im. Këtë metodologji dhe fenomen, maqedonasit  e kanë trashëguar më parë nga serbët,

“Govori serbski, da te, bog razumije”   “Fol serbisht, që Zoti të kuptojë”

 

“Në kërkim të identitetit”

Edhe pas një çerek shekulli, akoma liderët, politikanët dhe shumica e popullatës maqedonase mentalitetin, temperamentin dhe instiktin nuk e kanë ndryshuar. Në kërkim të etnogjenitetit dhe krizës së identitetit, ngërçi që kanë hasur nga shtetet fqinje, maqedonasit kanë frikë nga kriza e identitetit në mënyrë të veçantë se nuk kanë bërë transformim politik kulturor të kritereve dhe standarteve demokratike nga frika se Maqedonia mund  të shkojë drejt kantonalizmit ose federalizmit. Për maqedonasit kjo është një ndër sfidat e mëdha. Ata me çdo çmim tentojnë ta ruajnë status quo-në, etnocentrizmin, dominimin dhe pushtetin. Ky besim është ngulitur thellë në kokat e liderëve dhe politikanëve maqedonas. Ata e kanë mbjellur në kokë, se Maqedonia është shtet unitar homogjen i maqedonasve se shqiptarët janë minoritet, dhe sipas kritereve dhe standarteve të pakicave në Ballkan, ata kanë maksimumin e të drejtave. Se në fund shqiptarët kanë dy  shtete. Nga kompleksi i inferioritetit, maqedonasit janë bazuar në  doktrinën  se ne jemi të zotët e këtij shteti, dhe sipas tezës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, shqiptarët janë ardhacakë, të ardhur para disa shekujve nga Shqipëria e Veriut. Nëse gjurmojmë më thellë  me një optikë, do të zbulojmë sindromën, se maqedonasit akoma nuk kanë arritur ta kuptojnë se Maqedonia mund të ekzistojë si shtet me dy etnitete, maqedonas dhe shqiptar  se shqiptarët e Maqedonisë nuk kanë shtet dhe atdhe përveç Maqedonisë.  Ka perënduar koha, kur shqiptarëve u nacionalizohej, uzurpohej prona, toka dhe nga reprezalja shtypja e regjimit sllavo-maqedon largoheshin për në stepat e Anadollit. Në tokat e nacionalizuara dhe uzurpuara të shqiptarëve të Maqedonisë në ish-Jugosllavi nga regjimi i inkurajuar nga doktrina e llaboratit, Çubriloviçit dhe Ivo Andriqit ndërtuan vendbanime dhe lagje të reja, për kolonët “egeens” që vinin nga Greqia dhe shtetet e Europës Lindore.