Maqedonia ndodhet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, duke e pasur parasysh se gjasat për arritje të marrëveshjes me pozitës dhe opozitës janë shumë të vogla, pasi që nuk kanë pajtueshmëri për votimin e ndryshimeve kushtetuese që i parasheh Marrëveshja e Prespës. Pushteti kërkon zgjedhje të parakohshme parlamentare, ndërkaq kushtet e opozitës për pjesëmarrje në zgjedhje i vlerëson si alibi për të mos u mbajtur zgjedhjet dhe për t’i dhënë amnisti grupit të akuzuar për krime të rënda në krye me ish kryeministrin Nikolla Gruevski, shkruan Portalb.mk.

Pas referendumit i cili u vlerësua pjesërisht i suksesshëm, pasi që nuk u arrit cenzusi, në tavolinë u vendos mundësia për zgjedhje të parakohshme parlamentare, pasi që opozitarja VMRO-DPMNE ka deklaruar se nuk do t’i përkrahë ndryshimet kushtetuese, të cilat janë kusht që Marrëveshja me Greqinë të hyjë në fuqi, dhe në këtë mënyrë Maqedonisë t’i hapet rruga euro-atlantike.

Petar Arsovski
Petar Arsovski
Nëse nuk arrihet marrëveshje mes partive për votimin e ndryshimeve kushtetuese që i parasheh Marrëveshja me Greqinë, vendi do të shkojë në zgjedhje të parakohshme parlamentare, kështu vlerësojnë për Portalb.mk, analsitët politik, Sefer Selimi dhe Petar Arsovski, njofton Portalb.mk.

“Nëse nuk ka marrëveshje mes partive për të votuar në kuvend ndryshimet kushtetuese, zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të duhet të organizohen qysh këtë vit, pasi që po s’u organizuan dështon marrëveshja me Greqinë. Gjasat për tu mbajtur zgjedhje të parakohshme janë shumë reale, duke pasur parasysh radikalizmin e dy partive, të cilat refuzuan marrëveshje dhe po shkojnë drejt opsionit për zgjedhje të parakohshme parlamentare”, tha për Portalb, Arsovski.

Në zgjedhjet që sipas paralajmërimeve, do të mbaheshin në nëntor, blloku “për” Marrëveshjen me Greqinë, do të duhej të mblidhte 81 deputetë, pasi që në të kundërtën, përsëri do të bllokohej çështja e ndryshimeve kushtetuese.

“Zgjidhja e fundit për të çarë rrugën drejt integrimit në NATO dhe BE ngelen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Në këtë rast do të duhet te krijohet një koalicion i gjerë parazgjedhor, duke i përfshirë te gjitha partitë pro-evropiane dhe pro-NATO nga e cila do të del një qeveri ekspertësh me mandat për t’i implemteruar me ritëm të shpejtë reformat të cilat do ta integrojnë Maqedoninë në BE”, thotë Selimi.

Amnistia sërish në lojë

Ndryshimet kushtetuese, rëndë të kalojnë pasi që opozitarja VMRO-DPMNE, do të vazhdojë me kushtëzimin dhe kërkesën e saj për amnistim të ish funksionarëve të lartë partiak, në mesin e të cilëve është edhe ish kryeministri Nikolla Gruevski. Amnistia, është kërkesë të cilën LSDM-ja e ka hedhur poshtë disa herë, për shkak se një gjë e tillë do të nënkuptonte varrosje të sistemit të drejtësisë në Maqedoni, e njëjta nuk është e pranueshme as për faktorin ndërkombëtar.

“Që nga korriku, udhëheqisa e VMRO-DPMNE-së nuk ka bërë asnjë gjysmë hapi që t’i ndihmojë shtetit, nëse për atë nuk fitojnë amnisti. Tërë vitin jemi nën trysni të vazhdueshme nga kërkesa për amnisti. Thamë se për gjithçka mund të bisedojmë, por jo për amnisti. Në shumë situata deshëm të bisedojmë, të merremi vesh për punë konstruktive, por nëse nuk kemi marrëveshje do të duhet të shkojmë në zgjedhje”, thotë nënkryetarja e LSDM-së, Radmilla Shkerinska.