Vendet fqinje të Kosovës, e midis tyre edhe Maqedonia, janë duke u përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejt në kontrabandimin e mallrave të Serbisë për në Kosovë, sipas Ministrit të Tregtisë të Serbisë Rasim Ljajic.

Ky i ka thënë televizionit shtetëror serb, RTS se p.sh. në rastin e grurit të prodhuar në Serbi, i njëjti së parti dërgohet në Kroaci, e pastaj nga atje transportohet në Kosovë si grurë kroat. Po sipas Ljajicit një pjesë e mallrave serbe iu shitet afaristëve në Maqedoni dhe prej atje ri-eksportohet në Kosovë, si mall i Maqedonisë. Sqarimet kaq të drejtpërdrejta të Ljajicit nuk janë gjë tjetër veç konfirmim zyrtar i qeverisë së Serbisë për kontrabandimin e origjinës së mallit përmes paketimeve të falsifikuara dhe ndryshim i rrejshëm i origjinës së mallit me ndihmën nga rrjetet e biznesit në Kroaci dhe Maqedoni. Mirëpo, mbetet e paqartë nëse ky lloj mashtrimi që bëjnë kompanitë prodhuese dhe ato tregtare të Kroacisë e Maqedonisë po ndodhë pa dijeninë apo edhe dritën e gjelbër të individëve të caktuar brenda autoriteteve përkatëse në Kroaci, Maqedoni e edhe atyre në Kosovë.

Si është e mundur që doganat e Maqedonisë dhe të Kosovës të mos kenë vërejtur këtë lloj mashtrimi me origjinën e mallit ? Po aq e vështirë që të besohet se edhe autoritetet përgjegjëse nëpër ministritë e caktuara të ndërlidhura me tregtinë (importin dhe eksportin) të mos qenkan në dijeni për këtë lloj kontrabandimi, por u dashka që Ljajic të dal e të tregojë publikisht mënyrën e kontrabandimit të origjinës së mallrave. Ka pasur edhe më herët paralajmërime se kjo dukuri po bëhej që nga Nëntori kur qeveria e Kosovës e vuri taksën 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës.

Të dhënat e agjencisë së Kosovës për importet për muajin dhjetor p.sh. thonë se rritje eksporti për në Kosovë të kenë shënuar edhe Maqedonia, Kroacia e Shqipëria. Eksportet e Maqedonisë së veriut janë rritur nga nëntori në dhjetor 2018 e sidomos krahasuar dhjetorin e vitit të kaluar me atë të 2017. Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për muajin Dhjetor 2018 thonë se Maqedonia e Veriut ka eksportuar në Kosovë në muajin dhjetor mallra në vlerë prej 17,488 milion Euro, duke shënuar rritje prej afro 5 milion euro, përkatësisht 4,863 milion Euro, prej 12.625 milion sa ishte në dhjetor të vitit 2017.

E krahasuar me nëntorin 2018, rritja e eksportit të mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë në Dhjetor 2018 ishte për 2.264 milion Euro. Eksportet e Shqipërisë në Kosovë janë rritur nga 10.0 milion Euro në Dhjetor 2017 në 17,39 Euro milion në Dhjetor 2018, ndërsa ato të Kroacisë nga 5.9 në 7.1 milion Euro.

Deklaratat e ministrit të Serbisë tash do të duhej vënë në lëvizje autoritetet e Kroacisë, të Maqedonisë dhe të Kosovës për të ndëshkuar këtë dukuri e cila ndalohet edhe me rregullat e Marrëveshjes së Stabilizimit dhe Asocimit (MSA) për çështje të tregtisë tek origjina e mallit./Zhurnal/