Takimi i parë zyrtar me kolegun e tij, shefi i diplomacisë së Maqedonisë do ta realizojë me ministrin e jashtëm të Greqisë. Dimitrov në Athinë do të shkojë me ftesë të homologut të tij Nikos Kocias. Sipas njoftimeve ai këtë vizitë do ta përdorë që ta paraqesë fytyrën e re të Maqedonisë, pasi sipas tij, një nga sfidat më serioze për integrimin euro-atlantik të vendit janë marrëdhëniet me fqinjët, njofton Alsat-M.

Puna e diplomacisë është të ndërtojë ura, miqësi dhe të hapë dyer dhe perspektiva. Sepse sfida jonë më e madhe për integrimin euroatlantik janë marrëdhëniet me Athinën, unë dua që fillimisht në Greqi ta paraqes fytyrën e re të vendit. Unë jam i bindur se ne kemi shumë interesa të përbashkëta. Unë jam i bindur se edhe Greqia ka interes për një Maqedoni evropiane – tha Nikolla Dimitrov, Ministër i Punëve të Jashtme.