Para ka, njerëz nuk ka. Ose më mirë, nuk ka kuadro të punësuar në administratë që do tu mundësojnë bujqve dhe kompanive në vend t’i marrin paratë evropiane.
Vetëm dy vjet para skadimit të programit IPARD 2, nga 80 milion euro të parashikuara, janë tërhequr vetëm 4.6 milion ose 5.75 për qind e parave. Në shpalljen e parë, vetëm rreth 10 për qind të aplikacioneve të paraqitura janë miratuar.

“Interesi është me të vërtetë i madh, vetë numri i 1.648 aplikimeve në thirrjen e parë në IPARD 2, tregon se ka interes te fermerët dhe në industrinë përpunuese”, – tha Nikolla Babevski, drejtor i Agjencisë për mbështetje financiare në bujqësi dhe zhvillim rural.

Për t’i marrë paratë, do të na ndihmojnë sllovenët. Ata thanë se nuk është e lehtë për të marrë paratë evropiane, sepse procedurat janë burokratike. Administrata jonë duhet të ketë njohuri specifike, por gjithashtu tu ndihmojë në mënyrë specifike në terren fermerëve dhe kompanive. Agjencia pagesore e Sllovenisë është 99,9 për qind e kompjuterizuar dhe vepron në mënyrë elektronike.

“Është e rëndësishme që komunat të aplikojnë për projekte, për shfrytëzimin e këtyre fondeve. Ka shumë mundësi për projekte që janë më të vogla, për shembull nga 10, 20 ose 50 mijë euro dhe kjo mund të bëhet lehtësisht”, – deklaroi Milan Jazbec, ambasador i Sllovenisë.

Deri më tani Maqedonia ka përdorur vetëm 17% të fondeve nga programi IPARD, ndërsa Komisioni Evropian në raportin e fundit të progresit këtë e cilësoi si të pamjaftueshme./Alsat-M/