Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka thënë se si vend anëtar i NATO-s e kanë ditur muaj më herët atë që do të ndodhë në Ukrainë. Nga informacionet e inteligjencave më të fuqishme në botë, Osmani thotë se s’pritet që situata në Ballkan të eskalojë.

Mirëpo, Osmani nënvizon faktin se duhet treguar kujdes në këtë situatë.

“Maqedonia është vend anëtar i NATO-s dhe ka qasje në informacione të sigurisë. Ne i kemi ditur saktë zhvillimet në Ukrainë që para disa muajve. Këtë e mundëson vetëm nëse je anëtar i NATO-s. Edhe për Ballkanin Perëndimor kemi informacione nga 30 vendet e fuqishme në botë. Ballkani është pikë e dobët, por nuk kemi informacion për një eskalim në periudhën e ardhshme, megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm”, ka thënë Osmani në “Interaktiv” të KTV-së.

Sipas tij, zhvillimet në Ukrainë kanë vetëdijesuar komunitetin ndërkombëtar që nuk duhet të ketë pikë të dobët në Evropë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të integrohen në BE.

“Tani është koha që të jepet mesazhi i duhur”, ka deklaruar Osmani.