Çfarë sikleti kanë drejtuesit e partisë opozitare OBRM-PDUKM për regjistrimin e popullsisë në Maqedoninë Veriore?!
U bëj thirrje publike, drejtuesve të kësaj partie dhe shovinistëve të tjerë, për debat të hapur në cilindo televizion, edhe në gjuhën e tyre, që t’ua dëshmoj se shqiptarët janë popull shumicë në Maqedoninë Veriore, jo pakicë, siç pretendojnë ata dhe argatët e tyre shqipfolës në pushtet.
“Misteri demografik i Maqedonisë Veriore: numra shumë të gabuar. Statistikat zyrtare mbi popullsinë e Maqedonisë Veriore jo vetëm që janë devijuar pak, por në mënyrë dramatike janë të pasakta. Dhe, kjo ka pasoja.”
– Analizë e Qendrës për gazetari hulumtuese PRIZMA (BIRN-Maqedoni), autor: Tim Xhuda, ekspert ndërkombëtar, 14 maj 2020.)
Pse lideri i partisë OBRM-PDUKM (VMRO-DPMNE) opozitare propozon shtyrjen e për një vit të regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë Veriore?
A nuk ishte kjo parti në pushtet nga viti 2006-2017, kur edhe është dashur të bëhet regjistrimi i rregullt i popullsisë, në vitin 2011, kur për shkaqe të njohura vetëm për këtë parti, ajo e ndaloi procesin e regjistrimit në gjysmë?
A nuk ishte kjo parti në pushtet, disa mandate me radhë, kur drejtues të lartë të kësaj partie dhe funksionarë të pushtetit nga radhët e kësaj partie disa herë kanë deklaruar publikisht se janë dhënë afër 2 milion e pesëqind mijë shtetësi të Maqedonisë Veriore, edhe përkundër faktit se me asnjë të dhënë statistikore zyrtare nuk është dëshmuar deri më sot se numri i banorëve në këtë shtet ka arritur mbi 2 milion e njëqindmijë banorë (as këto të dhëna nuk kanë qenë të sakta, por të falsifikuara dhe manipuluara, jo më shtimi i afër 500 mijë banorë të rinj me shtetësi të Maqedonisë Veriore)?
Pse nuk duan t’u besojnë drejtuesit e kësaj partie dhe funksionarët e saj në pushtet të dhënave statistikore zyrtare nga Enti shtetëror i statistikës në Shkup, përderisa nga viti 1991, pas pavarësimit të Maqedonisë Veriore, çdo vit janë regjistruar së paku 35% e më tepër fëmijë të lindur të gjallë, me përkatësi kombëtare shqiptare dhe një numër i madh i fëmijëve nga prindër shqiptarë me punë të përkohshme në botën e jashtme?
Pse gjatë regjistrimeve të kaluara, pas pavarësimit të Maqedonisë Veriore, përherë është bërë problem regjistrimi i popullsisë në këtë shtet; regjistrimi i vitit 1991 është bojkotuar nga shqiptarët vendës dhe i njëjti është përsëritur në vitin 1994 dhe realizuar me mbikëqyrje ndërkombëtare, regjistrimi i vetëm që ka kaluar pa shumë probleme ka qenë ai i vitit 2002, sa për ta arsyetuar 20% e famshëm të rezervuar për shqiptarët, sipas Marrëveshjes kornizë të Ohrit, ndërsa regjistrimi i vitit 2011 është anuluar pas fillimi të tij, në gjysmë të procesit?
Pse gjithmonë drejtuesit e kësaj partie dhe forca të tjera politike me orientim nacionalist dhe shovinist, gjithmonë deklarojnë publikisht se numri i shqiptarëve në Maqedoni na qenka më i ulët seç thuhet zyrtarisht, madje duke aluduar në përqindje prej 11-17%, sipas tyre?
A e dinë drejtuesit e kësaj partie se cili është dallimi mes 11-17%, siç dëshirojnë dhe deklarojnë rrejshëm ata, me 35-40%, sa është realisht numri i banorëve shqiptarë në Maqedoninë Veriore?
Ka ardhur koha që opinionit të brendshëm dhe të jashtëm t’i paraqitet një pasqyrë reale për strukturën e vërtetë etnike të popullsisë në Maqedoninë Veriore, ndërsa drejtuesve të kësaj partie dhe qarqeve të tjera nacionaliste, që i fryjnë zjarrit të shovinizmit dhe racizmit kundër shqiptarëve, duhet t’u tregohet vendi i vërtetë ku duhet të përfundojnë, në plehun e historisë, si nxitës të konflikteve, burim i pasigurisë, i krizave të vazhdueshme politike dhe konflikteve të panevojshme në një shtet që mezi e siguron ekzistencën e tij, nën presione, trusni dhe sulme të pandërprera nga shtetet fqinje, duke ia mohuar të kaluarën, historinë, gjuhën dhe identitetin popullit maqedonas, i cili ka arritur t’i ruaj këto vlera vetëm në saje të mirëkuptimit dhe përkrahjes së shqiptarëve në këtë shtet.
Nëse edhe më tej drejtuesit e kësaj partie do të vazhdojnë t’i fryjnë këtij zjarri të shovinizmit dhe urrejtjes patologjike kundër shqiptarëve, ka plot rrugë të tjera demokratike për t’ua treguar vendin, duke kërkuar përgjegjësi prej tyre, si trashëgimtarë të ish-regjimit komunist jugosllav në këtë shtet, të japin llogari për krimet dhe gjenocidin pesëdhjetëvjeçar e më tepër ndaj shqiptarëve, të kryera nga etërit dhe gjyshërit e këtyre bandave shoviniste të sotme, të cilët edhe numrin e popullsisë dhe përbërjen etnike të banorëve të shtetit të përbashkët të Maqedonisë Veriore pretendojnë ta paraqesin sipas ëndrrave të veta nacional-romantike, ta nxjerrin nga mënga e propagandës serbomadhe, nga përrallat e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, apo Enciklopedia e tyre antishkencore, në frymë tejet shoviniste e raciste, me porosi të Akademisë Serbe të Shkencave dhe me ndihmën e mbeturinave të agjenturave të huaja në këtë shtet, që fatkeqësisht financohen nga buxheti i shtetit, nga djersa dhe kontributi edhe i shqiptarëve në Maqedoninë Veriore.
(8 janar 2021)