Qeveria në pritje me të nominuarin për kryeministër, Zoran Zaev, për shkak të krizës së thellë dyvjeçare do të duhet të intervenojë në shumë drejtime, ku ndër më të përfolurit është sistemi gjyqësor. Jo vetëm gjyqësori, por edhe reforma në shërbimet e inteligjencës, administratë publike, në servisin publik, arsim dhe në fushat tjera, janë këto ndër prioritete kryesore të cekura edhe në Raportin e Pribes dhe në listën për reforma strukturore në Maqedonisë, të propozuara rreth dy viteve më parë nga Komisioni Evropian, shkruan gazeta KOHA.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, jo vetëm së fundmi, por edhe më herët se prioritet i tij në bashkëqeverisje me partitë shqiptare, do të jetë agjenda reformuese. I nominuari për kryeministër nga shumica parlamentare thotë se së pari duhet ndryshim rrënjësor të sistemit gjyqësor në Maqedoni. Ai gjatë një interviste për radion Evropa e Lirë ka premtuar zhbërjen e sistemit të tanishëm dhe ndërtimin e një sistemi të ri gjyqësor.
“Ne kemi dëshmuar se në Maqedoni nuk ka shtet ligjor. Premtimi jonë është i pastër në këtë çështje-shpërbërje të sistemit gjyqësor dhe rizgjedhjen e tij”, ka thënë ai. Zaevi theksoi se gjyqësori i jopartizuar do të thotë edhe aktvendime të drejta për të gjithë ata që kanë vjedhur para nga qytetarët dhe shteti, duke shtuar gjithashtu se për njerëz të tillë nuk do të ketë amnisti.
“Amnisti në Maqedoni nuk do të ketë për askënd, për arsye të thjeshtë se atë askush nuk mund ta garantojë – gjithçka dihet. Nuk ka më sekrete në Maqedoni. Nëse do të bëhej fjalë për amnisti dhe marrëveshje e negociata të fshehta, do t’i harronim edhe krizat politike, do të ndryshohej pushteti dhe do të ishte më ndryshe, por nuk do të kishte drejtësi dhe shtet të së drejtës”, tha ai.
Zaev më tej thotë se pushteti i ri nuk do të pushojë nga puna pjesëtar të sektorit publik kurse rol në këtë do të luaj vetëm profesionalizmi i tyre.
“Nuk do të largojmë njerëz nga puna. Me atë që e kemi si kapacitet financiar, do të mundohemi t’i menaxhojmë punët, por absolutisht do të udhëhiqemi nga profesionalizmi. Vendin e punës mund ta humbë dikush, vetëm nëse nuk e kryen punën profesionalisht, dhe nuk më intereson se cilës parti i takon “, theksoi ai.
Njëkohësisht Zaev ka përsëritur premtimet që në njëqind ditët e para do të heqin taksën radiodifuzive, testimin ekstern, rritjen e pagës minimale dhe se do të ndryshojë Kodin zgjedhor, me qëllim shtyrjen e zgjedhjeve lokale për në vjeshtë.

“Interesi i qytetarëve dihet. Ne paralajmëruam shumë masa urgjente dhe disa janë të lidhura edhe me afate. Shumë prindër, shumë mësues, shumë fëmijë, janë në pritje të shfuqizimit të testimit ekstern dhe kjo të do të ndodhë në fund të majit ose në fillim të qershorit, që të jetë e qartë sepse efekti është edhe psikologjik besoj. Këtu është edhe shfuqizimi i takës radiodifuzive dhe kthimi i tarifë së lirë dhe miratimi i një ligji të ri për media. Ndër punët e para do të jetë edhe rritja e rrogës minimale. Shumë prej këtyre masave tashmë janë duke u përgatitur dhe besoj se deri në fund të majit apo në fillim të qershorit do të bëhen, dhe sigurisht mes tyre mund të ketë zgjidhje edhe për ndryshimin e Kodit zgjedhor në Parlament për shtyrje të zgjedhjeve lokale për në vjeshtë, por se për këtë do të vendosin bashkë me të gjitha partitë parlamentaren”, deklaroi lideri I LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkaq sa i përket kthimit të parave të vjedhura, Zaev këtë çështje e lidhë me sjelljen e shpejtë të vendimeve gjyqësore, meqë siç tha ai, në Maqedoni kemi ligje për konfiskimin e pasurisë.
“Sa më shpejtë sjellin vendime autoritete gjyqësore, aq më shpejtë do të bëhet e ditur lista e parave që do të kthehen, ngaqë ligjet ekzistojnë në Maqedoni dhe nëse dikush ka vjedhur para dhe është pasuruar duke shkelur ligjin, atij edhe do t’i konfiskohet ajo pasuri. Kur të kthehen paratë e para në buxhetin e shtetit, do të hapet porta triumfale”, deklaroi ai.
Prokuroria Speciale Publike është formuar me konsensus të të gjitha partive parlamentare dhe me rëndësi është që ajo të përfundojë detyrimet për të cilat është formuar, thotë Zaev.
“PSP-ja është formuar me konsensus të të gjitha partive dhe deputetëve në Kuvend. Unë jam i bindur dhe dëshiroj që PSP-ja të mbarojë punën e saj për të cilën është formuar. Kjo nënkupton, të hetojë gjithçka që është e lidhur dhe ka dalë nga përgjimet e paligjshme. Nëse ka dëshmi të shqyrtojë hetimet dhe akuzat, nëse jo të atëherë, të përfundojë me hetimet aty ku ka mbetur. Kjo është ajo që e presim. Njëkohësisht, paralelisht menjëherë do të duhet t’i nisim proceset për pavarësinë e gjyqësorit. U tregua se nuk ka shtet të së drejtës në Maqedoni. Premtuam dhe situata është e qartë, duhet shpërbërje dhe rizgjedhje e gjyqësorit”, ka thënë kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.
Ndërkohë, LSDM dhe OBRM po vazhdojnë me kritika ndaj njëra-tjetrës. Partia e Gruevskit e ka akuzuar LSDM-në se po hesht ndaj deklaratës së Talat Xhaferit, i cili tha se seancat në Parlament do t’i udhëheq edhe në gjuhë shqipe. Nga kjo parti thonë se Maqedonia është viktimë e sjelljes anti-shtetërore të Zoran Zaevit.
“Krimineli Zaev dhe LSDM, përveç që i mashtruan qytetarët dhe shkelin vullnetin e tyre, shkelën edhe Kushtetutën, Rregulloren dhe ligjet, ndërsa tani heshtin dhe mbështesin provokimet me të cilat ka filluar realizimi i Deklaratës së Tiranës. LSDM hesht për vendosjen e flamurit shqiptar në Kabinetin e kryetarit të Parlamentit. Tani LSDM-ja hesht edhe ndaj deklaratave të Talat Xhaferit se do ta zyrtarizojë gjuhë shqipe në gjithë territorin”, thuhet mes tjerash në komunikatën e OBRM-PDUKM-së.
Ndërkaq, nga LSDM-ja thanë se në periudhën që vjen është e rëndësishme të mundësohet transferim i qetë i pushtetit dhe formimi i qeveris së re. Nga kjo parti thonë se ky është interes parësor i qytetarëve dhe shtetit.
“Udhëheqësia e OBRM-PDUKM-së në krye me Nikolla Gruevskin janë politikanë të harxhuar të cilët shqetësohen vetëm për interesat e tyre kriminale, nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve dhe për këtë arsye gënjejnë, përdorin manipulime, gjuhë të urrejtjes dhe nxisin dhunë. As nuk do të dëmtohet gjuha maqedonase, as nuk rrezikohet unitariteti i shtetit”, thonë nga LSDM.
Nga kjo parti thonë se çdonjëri që punon në kundërshtim me interesat shtetërore, duhet të jetë i vetëdijshëm se bën vepër penale dhe për këtë siç thonë, do të ketë përgjegjësi.