Kryetari i Forumit Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut (IGFM) në Maqedoni, Idriz Sinani, thotë se vazhdimisht është duke u provokuar nga persona të panjohur në shtëpinë e tij. Katër herë me radhë dy persona me maska dhe e uniforma të zeza janë futur në oborrin e shtëpisë së tij, në momentet kur Sinani nuk ka qenë në shtëpi. “Njëri ka bë roje, kurse tjetri është futur në oborr, ku ka bë fotografime dhe incizime . Dy rastet e para kanë ndodhur në muajin prill të vitit të kaluar, kur unë kërkoja që të mos mbahen zgjedhje pa u krijuar kushtet. Rasti i tretë ka ndodhur në dhjetor para zgjedhjeve, kurse rasti i fundit në janar të këtij viti”, thotë Sinani .

Ai nuk e ka denoncuar rastin deri tani në mediume, sepse ka pritur që të ndriçohen nga policia. Sinani dyshon se prapa këtyre provokimeve qëndron pushteti aktual.

“Rastin e kam paraqtur në polic. Edhe para policisë kam shprehur dyshimet e mia se prapa këtyre provokimeve qëndrojnë VMRO dhe DUI, të cilët përgatisin atentat ndaj meje, për shkak të aktiviteteve të mia kundër regjimit dhe kundër diskriminimit të shqiptarëve”, thekson Sinani.

Ai thotë se nuk frikohet nga këto provokime, por është i brengosur sepse ia kanë shqetësuar familjen. “Bashkëshortja ime është nën stres të madh dhe nuk po mund të stabilizohet”, thotë Sinani./Gazeta Lajm