“Ishte një ndeshje mes dy rivalëve që në fakt luhej nga tre. Sepse rivaliteti mes Zvicrës dhe Serbisë ka kohë që e ka përfshirë Kosovën. Mjafton të kalosh nëpër rrjete sociale për të kuptuar rëndësinë sociale dhe gjeopolitike të kësaj ndeshje”.

Kështu e ka përshkruar ndeshjen mediumi spanjoll, Marca.

Zvicra e eliminoi edhe njëherë tjetër Serbinë nga Kupa e Botës dhe sërish, Xhaka e Shaqiri ishin protagonistët kryesorë.

Shaqiri e shënoi golin e parë, kurse Xhaka me paraqitjen e tij u shpall lojtari i ndeshjes.

“E gjithë kjo bëri që rivalët të na japin një spektakël fantastik në këtë ndeshje, një nga ndeshjet më të mira të këtij Botërori. Në fakt, ndoshta më e mira. Thonë se koha shëron gjithçka, por ka gjëra që nuk do të shërohen kurrë. Ishte Shaqiri që shënoi pas 20 minutave dhe shkoi te tifozët serbë për t’ua mbyllur gojën, shkroi tutje Marca.