Kosova sot shënon Ditën e Paqes, pasi 23-vjet më parë më 12 qershor të vitit 1999, ishte çliruar përfundimisht nga okupimi i Serbisë.

Më 9 qershor të vitit 1999 me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, kishte për të filluar largimi i forcave serbe nga Kosova dhe çlirimi i saj.

Pas kësaj marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Marrëveshja është arritur pas fushatës së bombardimeve të NATO-s mbi caqet serbe, e cila ka zgjatur për 78 ditë me radhë, si dhe pas përpjekjeve të ndryshme diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Kosovë, gjatë të cilës mbi 10 mijë njerëz janë vrarë, rreth 5 mijë të tjerë të zhdukur dhe mbi 1 milion shqiptar të zhvendosur.

Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-së, Havier Solana, më 10 qershor 1999 kishte lëshuar urdhrin për ndalimin e bombardimit dhe Këshilli i Sigurisë së OKB-së miratoi rezolutën 1244, ku u dërguan 37.200 ushtarë të KFOR-it nga 36 shtete.

Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.