Ekspertët e sigurisë në vend ndajnë mendime të ndryshime lidhur me pikën 10 të marrëveshjes së arritur në Uashington në mes Kosovës dhe Serbisë.

Kjo pikë parasheh që palët të rrisin kontrollimin e pasagjerëve në linjat ajrore, shkëmbimin e informacionit midis tyre dhe brenda kornizës së bashkëpunimit më të gjerë të SHBA-së në Ballkan dhe përditësimin e teknologjisë për të luftuar aktivitetet e paligjshme duke zbatuar dhe funksionalizuar sistemet e shqyrtimit dhe informacionit të ofruara nga SH.B.A., përfshirë PISÇES, APIS, ATS-G dhe SRTP.

Eksperti i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se qasje në informacione përmes këtyre sistemeve amerikane që janë paraparë në marrëveshjen e Uashingtonit, është e mirëseardhur për institucionet e sigurinë në vend, pasi siç shprehet ai këmbimi i informacioneve ofron siguri më të madhe në vend dhe rajon.

Ai deklaron se kjo pikë e marrëveshjes ndikon pozitivisht edhe në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit.

Ibishi: Kjo pikë mund të ndikoj në luftimin e krimit të organizuar dhe terrorizmit

“Mendoj se përgjithësisht kjo ndikon si në prevension të luftimit të krimit të organizuar të terrorizmit dhe njëkohësisht në mënyrë aktive të jemi anëtar dhe të jemi pjesë e një procesi…Na jep një lehtësi në këmbim të informacioneve por edhe ruajtjen e saj. Por normal i gjithë ky sistem, kur kalon fazën aplikative të jetë një korrektësi në këmbim të informacionit, por jo edhe të keqpërdoret, qoftë nga Serbia apo Kosova apo dikush i treti… Nëse e kemi një mbikëqyrje sikurse dinë Shtetet e Bashkuara të Amerikës ta zbatojnë pa hyrë në pjesën infrastrukturore, kapacitet tjera që do i ndërtoj në Kosovë në aspektin e sigurisë, mendoj se nëse SHBA-të garantojnë sisteme të qëndrueshme të këmbimit të informacionit, atëherë mendoj se ajo ka me qenë e mirëseardhur për institucionet e sigurisë në Kosovë dhe pa këmbim të informacionit nuk ka siguri jo vetëm të një shteti por edhe vetë rajonit dhe me gjerë“, tha ai.

Ibishi konsideron se kjo pikë nuk duhet të keqpërdoret nga palat e përfshira, e aq më pak nga Serbia.

Ibishi: Kjo pikë nuk guxon të keqpërdoret sidomos nga Serbia

“Ne i kemi disa prej këtyre sistemeve, janë donacion i SHBA-ve por edhe të Bashkimit Evropian dhe ato fare nuk është e vështirë të jenë në formën aplikative vetëm të zbatoj zbatimit i tyre. Kjo nuk guxon të keqpërdoret sidomos nga Serbia… 05:38’ Nëse Serbia vazhdon me avazin e vjetër, atëherë realisht mund të keqpërdoren, sidomos kur ka të bëjë me marrjen e informacioneve që janë sensitive, kur ka të bëjë me sigurinë e vendit, por edhe me persona të caktuar, që ata shpesh herë dinë t’i keqpërdorin, sidomos pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që shpesh mund të arrestohen sikur që ka vazhduar deri tani” , theksoi Ibishi.

Por mendim ndryshe ka eksperti tjetër i sigurisë, Drizan Shala, i cili thotë se qasja në këto sisteme amerikane për shkëmbim të informacioneve dhe rritjen e kontrollit të pasagjerëve nuk ndikon shumë në sigurinë e Kosovë.

Sipas tij, përfituese më e madhe në këtë rast është Amerika.

Shala: Zbatimi i kësaj pike të marrëveshjes në mënyrë të drejtpërdrejt nuk krijon ndonjë siguri për Kosovën

“Mendoj se është një pikë shumë teknike ku Kosova dhe Serbia përfitojnë qasje në sistemet e sigurisë të cilat i përdorë Shtetet e Bashkuara të Amerikës sa i përket udhëtarëve dhe pasagjerëve nga një vend në vendin tjetër. Por më kruciale se Serbia dhe Kosova nuk kanë arritur marrëveshje se si ta fuzionojnë sistemin e tyre të informimit sa i përket udhëzimit të udhëtarëve nga Kosova në Serbi dhe nga Serbia në Kosovë dhe kjo po më lë në mëdyshje bukur të mëdha se kjo pikë i përket më tepër sigurimit të sigurisë të udhëtarëve të cilët mund tët lëvizin drejt SHBA-ve…Zbatimi i kësaj marrëveshje në mënyrë të drejtpërdrejt nuk krijon ndonjë siguri për Kosovën sepse përmes kësaj vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfitojnë qasje në informacione të qytetarëve të cilët lëvizin nga Kosova përmes Beogradit në SHBA, apo nga Beogradi drejt SHBA-ve” , tha Shala.

KosovaPress ka tentuar të flas edhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme lidhur me këtë çështje, por të njëjtit nuk kanë dashur të flasin.

Javën që shkoi Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e presidentit amerikan, Donald Trump kanë nënshkruar marrëveshje ekonomike e cila u vlerësua si historike për të dyja vendet.