Nga Naser Pajaziti/

Bisedimet për Ligjin e ri për Prokurorinë Publike sipas avazit të vjetër. LSDM dhe VMRO-DPMNE dje pa partitë shqiptare prapa dyerve të mbyllura konkretizuan disa pika të marrëveshjes se si do të jetë Prokuroria e Publike dhe se çfarë do të ndodhë me fatin e Prokurorisë Speciale, e cila është “bomba” me sahat.
Subjektet politike shqiptare sërish siç duket do të luajnë rolin e kapakut të tenxheresë, që në fund do të bëjnë aminin e marrëveshjes dhe do të ngrenë gishtat në Kuvend, me arsyetimin se duhet të respektohen miqtë tanë ndërkombëtarë

BDI dhe ASH si parti pjesë e takimit të liderëve, pse nuk janë pjesë e formatit të grupeve të punës ku po përcaktohet fati i një institucioni të rëndësishëm që sidomos për shqiptarët ka qenë një mekanizëm brutal dhe instrument për procese segreguese, të dhimbshme dhe të montuara, që përmes dëshmitarëve të mbrojtur të sistemit kanë marrë e kanë rrënuar jetërat e qindra familjeve.

Pse kjo indiferencë dhe heshtje e subjekteve politike shqiptare, kur po zihet fati i një institucioni të rëndësishëm që ka në sirtarët e fshehur me mijëra dosje dhe dëshmi për procese të montuara.
A thua protestat e fundit me porositë e tyre shumë domethënëse nuk mjaftojnë që ato të marrin përgjegjësinë?!

“Sopoti”, “bombat në Kumanovë” janë rastet më të errëta të proceseve të montuara që morën në qafë të rinj dhe familje të tëra shqiptare, e që akoma janë me shpirtërat e vrarë, por që frymojnë vetëm fizikisht. Agjentët e këtyre montimeve kanë emër dhe mbiemër, por ato sot shëtiten të lirë dhe janë avancuar në jetën e tyre profesionale, falë mekanizmit që mbanin në dorë pushtetet e këtyre subjekteve që udhëhoqën dhe po udhëheqin me fatet tona.

Askush nuk dha përgjegjësi edhe për “Monstra”, rastet e tjera të montuara me ish-pjesëtarë të UÇK-së, vrasjen e Harun Aliut, “Brodecin”, “Lagjen e Trimave”, për të cilat shumëçka dihet dhe kush janë protagonistët e skenareve monstruoze, që në rrjetë fusin shqiptarët e pafajshëm.

Andaj përgjegjësia politike e subjekteve politike është shumë e madhe, jo vetëm një dëshirë për të kënaqur apetitet politike për të qenë në pushtet apo për të synuar për të ardhur në pushtet. Ata do të jenë të nemun nga nënat dhe fëmijët e gjithë atyre që ishin viktimat e kësaj makinerie të montimeve monstruoze.
Përjashtimi nga momentet vendimtare dhe heshtja e verbër nënkupton nënshtrim dhe humbje të betejës. Humbja sfilitëse e kësaj beteje do ti kushtojë më së tepërmi shqiptarëve, që në masë të madhe janë zhgënjyer nga drejtimi dhe përfaqësimi politik dhe epilogu i kësaj tanimë po shihet që vatrat tona dita ditës po na shuhen.