Shkruan: Dr Hysni Aliu

Në shkrimet e mia të mëhershme kam folur gjerë e gjatë për atë se cila është Kosova tani dhe çka e pret atë në të ardhmen. Ata që janë atdhetarë, i lus që t’i lexojnë ato shkrime, sepse në to paralajmërohet rrjedha logjike e gjërave. Kam punuar për 10 vite si psikiatër, por asnjëherë nuk kam pas as më të voglin problem me pacientët e mi, përkundrazi, një raport shumë njerëzor me respekt të dyanshëm. Arsyeja përse nuk kam pas as më të voglin problem, e asnjë ankesë deri më tani, është puna me moral, etikë dhe respekt. Arsye tjetër se përse nuk kam pas probleme, është se unë kam ditë të parashikoj se cili mund të jetë hapi tjetër i pacientit tim, dhe kam bërë punë parandaluese, në respekt të plotë të rregullave të funksionimit. Unë e bëra një shkrim të gjatë rreth dy ditë para se z Haradinaj të arrestohej, në të cilin thash që Gjykata speciale ndër të tjera do t’i arrestoj njerëzit që për momentin sipas tyre nuk janë të përshtatshëm për gjeostrategjinë, e pikërisht kjo ndodhi. Kosova është në luftë, edhe pse lufta ka mbaruar që nga viti 1999. Lufta me armikun është si në lojë shahu, pra duhet t’i parashikosh lëvizjet me kohë përndryshe të tjerët të bëjnë mat. Kam një kritikë të ashpër për këshilltaret e z Haradinaj të cilët nuk e kanë kuptuar që z Haradinaj është në luftë me të padrejtën, dhe si rrjedhojë nuk i kanë dhënë këshillat e duhura se kah duhet të lëvizë. Ata me naivitet harruan Slloveninë, harruan se kush ishte Franca për Kosovën dhe harruan që nuk është punë e lehtë të kundërshtosh fuqitë e mëdha. Ata e lejuan të fluturoj në Francë, në vend që të fluturoj në Berlin apo Londër. Ata i dhanë këshilla të gabuara edhe për VLAN-in e shumë gjëra tjera. Kam një këshillë për ta, bëhuni largpamës ose largohuni nga aty ku jeni. Më falni nëse z Haradinaj nuk i ka dëgjuar këshillat e juaja! Çështjen e parë që Kosova duhet ta bëj është që t’i identifikoj tradhtaret e këtij vendi. Gjerat janë shumë të komplikuara, andaj nuk është lehtë të gjesh tradhtaret, por në anën tjetër zhvillimet janë shumë të qarta, saqë tradhtaret po e zbulojnë vetveten. Është një enigmë e madhe se si është e mundshme që grupi negociator të nënshkruaj Marrëveshjen për asociacion që paraprakisht e kanë ditë që është në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. Për mua si një njeri i librave është e pabesueshme që ata njerëz nuk e kanë ditur se çka po nënshkruajnë. Përse ata nuk e dërguan në kushtetuese për vlerësim atë marrëveshje para nënshkrimit (pasi që nuk paskan ditë se çka po nënshkruajnë) por e dërguan tek pas nënshkrimit dhe presionit nga populli. Shkelja e kushtetutës e cila bëhet me qëllim është tradhti ndaj vendit, andaj këta që e nënshkruan këtë marrëveshje me vetëdije të plotë, me plot gojën e meritojnë dhe janë tradhtar të vendit, dhe vendi i tyre nuk është aty ku janë, por ne burg. I ndjeri Dehari është viktima e parë e kësaj tradhtie shtetërore, e tani edhe burgosja z. Haradinaj. Çdo shtet në historinë e vet është detyruar që të bëj lëshime dhe marrëveshje që nuk kanë shkuar plotësisht në interesin e tij, por udhëheqësit e vërtetë këto vendime të mëdha i qesin në REFERENDUM dhe populli vendos, pra nëse këta udhëheqës kanë qenë para një situate që të zgjedhin në mes dy të këqijave, ku njëra është më pak e keqe, atëherë ata domosdo është dashur t’i tregojnë popullit për situatën në të cilën gjenden dhe të kërkojnë që gjërat të vendosen nëpërmes REFERENDUMIT e jo ta vendosin veten në pozitën e tradhtarit të kombit. Po demarkacioni? Si është e mundur që në një proces të përcaktimit të kufirit të mos ndiqen rregullat ndërkombëtare për përcaktimin e kufijve ndërshtetëror. Përse Kosova po detyrohet ta përcaktoj kufirin në një formë të paracaktuar nga politika, pra duke marr për bazë vetëm të dhënat kadastrale. Si është e mundur që Departamenti i shtetit të thotë që kjo marrëveshje është krejt në rregull edhe pse Kosova humb me mijëra hektar. Si është e mundur që pikërisht në këtë kohë Mali i Zi bën gjuhën shqipe, gjuhë zyrtare në vendet ku ka 5 për qind shqiptarë, pikërisht në këtë kohë lejohet formimi i Komunës së Tuzit??!! Si ndërlidhen këto gjëra njëra me tjetrën. Pra, për çfarë pazaresh është fjala, apo është vetëm rastësi, unë nuk besoj në rastësi. Z. Murat Meha, me gjysmë zëri tha në një forum në atë konferencën e famshme që e organizoi opozita se AI DHE GRUPI I TIJ E KA CAKTUAR KUFIRIN NË BAZË TË RREGULLAVE TË PARACAKTUARA, disi kështu tha. Kjo fjali e tij nuk i ra në vesh askujt. Ne e fajësojmë kot atë, sepse tradhtaret e vërtet janë ata që kanë paracaktuar rregullat, kanë dhënë urdhrat, dhe kanë nënshkruar marrëveshjet e tilla. Z. Murat Meha ka faj për dy çështje: ai ka pranuar të punoj kundër moralit dhe etikës profesionale me vetëdije të plotë, dhe e dyta, ai është bërë bashkëpjesëmarrës në këtë tradhti shtetërore. Kam dëgjuar që kryeministri dhe tani presidenti u thonë opozitës që “edhe ju nëse do të ishit në pushtet do t’i nënshkruanit këto marrëveshje”. Shumë interesante apo jo! Por, këta nuk po i tregojnë popullit se çka i detyroj këta njerëz, përfaqësues më të lartë të shtetit të veprojnë në këtë mënyrë dhe të gjinden në një pozitë që dikush t’i quan tradhtar të kombit. Pse nuk tregojnë se çfarë sikleti patën dhe pse nuk e përdorën REFERNDUMIN. Është shumë vështirë të bësh një gjë që duket si tradhti shtetërore, e mos të mundesh ose mos të guxosh të tregosh që nuk është tradhti, por mbrojtje e shtetit prej një gjëje edhe më të keqe. Historia do e tregoj se a janë këta nënshkrues tradhtarë të kombit apo e kanë sakrifikuar vetveten duke pranuar që të jenë edhe në rolin e tradhtarit të kombit. E kam një pyetje edhe për opozitën. Përse ju nuk demonstruat për t’i kundërshtuar këto marrëveshje para se këto të nënshkruheshin, por u mjaftuat me fjalët “nuk do e pranojmë asociacionin” ose “mos e nënshkruani marrëveshjen për demarkacion, sepse nuk do e pranojmë”. Dhe kundërshtimi filloi tek pasi u nënshkruan. A do të ishte më lehtë të pengohej nënshkrimi i tyre me kohë apo tani të bëhet luftë për zhvlerësimin e diçkajes që është nënshkruar. Për mendimin tim as opozita nuk ka bërë punë të pastër atdhetare dhe të ndershme, por ka bërë ndër të tjera edhe lojë politike, dhe unë i konsideroj si jo të sinqertë me popullin dhe në një mënyrë bashkëpjesëmarrës në këtë tradhti që ju bë kombit. Z Ramush Haradinaj po i vuan pasojat e këtyre lojërave të turpshme, si të ndërkombëtarëve ashtu edhe të vendorëve. Kam shkruar për politiken e Presidentit Obama para disa viteve, atëherë kur askush nuk i vërente gabimet e tij. Kam shkruar edhe për BE-në. Edhe atëherë kur kjo krijesë nuk ishte në krizë, sepse i kam vërejt me kohë që janë duke shkuar në rrugë të gabuar. Presidenti Obama ka vuajtur nga “largpamësia pleqësore” pra ka parë shumë mirë larg, por jo afër. Andaj bota ka ardhur në këtë pikë ku është. Ndërsa BE po vuan edhe më tutje nga grandioziteti. Mungesa e një principi të të vepruarit dhe mungesa e udhëheqësve largpamës që dinë se çka bëjnë dhe pse bëjnë. Kombinimi i kësaj largpamësie te z. President Obama dhe një pamje normale në afërsi të evropianëve do të ishte e suksesshme, por ajo nuk ndodhi për fat të keq. Të shohim si do funksionoj të pamurit e presidentit Trump dhe se a do mësoj Evropa nga gabimet trashanike që është duke bërë për shkak të mungesës së largpamësisë dhe kompromiseve që po bënë me të keqen.